Kryesore Xhufi: Pse memoriali turk është i nxituar dhe një hap i rrezikshëm,...

Xhufi: Pse memoriali turk është i nxituar dhe një hap i rrezikshëm, me Turqinë duhet linja e Ismail Qemalit

PËLLUMB XHUFI (MAJTAS) MEMORIALI TE LIQENI ARTIFICIAL

Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, e sheh të nxituar dhe të papranueshëm vendosjen e memorialit në Tiranë në nderim të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi tre vjet më parë.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zoti Xhufi mendon se Shqipëria nuk duhet të përfshihet në problemet e brendshme të Turqisë dhe të bëhet pasqyrë e tyre, duke e kthyer vendin tonë në një muze të qytetarëve të vendeve të tjera. Për historianin e njohur, Shqipëria në marrëdhëniet me Turqinë, nuk duhet t’i ndahet linjës strategjike që i ka vendosur Ismail Qemali që në vitin 1912, pas ngritjes së flamurit në Vlorë kur e shpalli Shqipërinë të pavarur.

Por ai ka dhe një apel për drejtuesit e PS-së. “Unë dua ta besoj se është kështu. Por unë besoj se ka jo pak në Partinë Socialiste, anëtarë dhe drejtues, që e kuptojnë rrezikshmërinë dhe papërshtatshmërinë e hapave të tilla, të cilat mund t’i shërbejnë një momenti të veçantë, mund t’i shërbejnë një drejtuesi të veçantë dhe kredibilitetit personal të tij, por që nuk i shërbejnë vendit dhe projeksionit afatgjatë me republikën e Turqisë”, u shpreh historiani i njohur, Pëllumb Xhufi.

Si e vlerësoni vendosjen e memorialit për qytetarët turq, pranë Liqenit të Tiranës në kujtim të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi tre vjet më parë?

Unë mendoj se është një tjetër hap i nxituar i politikës shqiptare, madje do të thosha edhe i papranueshëm në kuptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse përfaqëson një ndërhyrje apo një përfshirje në problemet e brendshme të një shteti tjetër, pavarësisht se bëhet fjalë për një shtet mik, një aleat strategjik, siç është Turqia. Unë për ta konkretizuar, do të sillja ndonjë shembull të fundit të ngjashëm, kujtoj p.sh. kur presidenti Trump doli hapur para disa muajsh në përkrahje të jelekverdhëve në Francë, ndërhyrje që Presidenti francez Macron e kundërshtoi si të gabuar dhe të papërshtatshme. Duhet thënë se jo vetëm në Francë apo në Europë, por edhe në SHBA, mjetet kryesore të informacionit, por edhe grupime politike kundërshtare të presidentit Trump, u shprehen kundër një qëndrimi dhe një deklarimi të tillë të tij. Por, mund të bëj edhe një paralelizëm me atë që ka ngjarë mes Presidentit Trump dhe Shqipërisë. Zoti Rama, të gjithë e kujtojmë, bëri një ndërhyrje gjatë fushatës presidenciale në SHBA, duke u rreshtuar hapur në favor të kandidates demokrate, zonjës Klinton, dhe duke u shprehur me terma të ashpër ndaj kandidatit të partisë konservatore, zotit Trump. Siç e dimë, opozita shqiptare në atë kohë e mendonte se me ardhjen në pushtet të zotit Trump, do të kishte një lloj “hakmarrje” të Presidentit të ri amerikan ndaj qeverisë së zotit Rama dhe ndaj vetë zotit Rama. Por nuk pati një gjë të tillë dhe është krejtësisht e qartë, sepse zoti Trump, e kushdo tjetër udhëheqës i botës demokratike, i jep rëndësi marrëdhënieve me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar, jo me drejtuesit e përkohshëm dhe kalimtar, të radhës siç zoti Rama apo siç mund të jetë dikush tjetër. Në këtë drejtim, do të thosha se edhe marrëdhëniet tona me Turqinë duhet të ndjekin disa linja strategjike që i ka vendosur Ismail Qemali që në vitin 1912, pas ngritjes së flamurit në Vlorë kur e shpalli Shqipërinë të pavarur, dhe që janë respektuar ku më shumë e ku më pak nga të gjithë drejtuesit e qeverive shqiptare. Në këtë kuptim, ne kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera ma Turqinë edhe kur ka qenë Mustafa Kemal Ataturku, edhe kur ka qenë President i vendit Ismet Inonu, edhe kur ka qenë Bulent Eçeviti, i cili në 1974 dha urdhrin për ndërhyrjen në Qipron e Veriut për mbrojtjen e popullsisë turke aty. Shqipëria nuk mori pozicion që të dënonte ndërhyrjen, apo të pezullonte marrëdhëniet me Turqinë, për një çështje që nuk i përkiste Shqipërisë, por të interesuarve dhe komunitetit mbarë ndërkombëtar për zgjidhje. Po kështu kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë kur ajo është drejtuar nga Mesud Gilmaz, nga Tansu Çiller, nga Presidenti Demirel dhe natyrisht edhe tani nga presidenti Erdogan. Do të thosha, madje, që ne kemi pasur marrëdhënie të mira kur në Turqi kanë ardhur në pushtet edhe ndonjë qeveri pas një grushti shteti, siç ishte ajo e vitit 1981. Ne nuk paragjykuam ngjarjet konkrete, por Shqipëria vazhdoi të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë.

Pra, marrëdhëniet janë strategjike mes shteteve dhe vendeve dhe jo mes individëve të caktuar?

Në këtë aspekt, dua të them se futja në dialektikën e brendshme të një vendi të madh aleat, siç është Turqia, nuk i vlen Shqipërisë. Qeveritarët tanë duhet të llogaritin se zoti Erdogan, i respektueshëm padyshim, sot është, dje ka qenë, por nuk do të jetë përjetësisht në krye të Turqisë. Në fund të fundit, edhe dialektika politike e muajve të fundit, siç ishin zgjedhjet lokale në Turqi, treguan se të paktën gjysma e popullsisë së Turqisë, kundërshtoi politikat e Presidentit Erdogan. Dhe vetë zgjedhja e presidentit Erdogan para disa vjetësh, u bë me një shumicë minimale, të papërfillshme. Pra, është e rrezikshme futja dhe kthimi i vendit tënd në një pasqyrë ku reflektohen zhvillimet e një vendi tjetër, qoftë ky dhe një vend mik dhe aleat siç është Turqia. Sepse nesër mund të reflektojë negativisht në marrëdhëniet me një qeveri tjetër, me një President tjetër që mund të pasojë qeverinë dhe Presidentin aktual.

Që mund të të detyrojë ta heqësh atë memorial..?

Padyshim. Unë gjykoj se në radhë të parë, ne duhet të nderojmë historinë tonë, heronjtë dhe dëshmorët tanë, përpara se ta kthejmë Shqipërinë në një muzeum ku nderohen qytetarë të vendeve të tjera. Mjafton të kujtoj atë që ka ndodhur përsëri me qeverinë e zotit Rama, që me hozanara dhe me pompozitet të madh u nderua Princi Vidi në vitin 2014, në 100 vjetorin e qeverisë së tij, që siç u tha atëherë “të qeverisë së parë ndërkombëtarisht të njohur të Shqipërisë” dhe nuk u bë asgjë për qeverinë e Ismail Qemalit, që ishte një shprehje e vullnetit të popullit shqiptar.

Fakti që vendosja e këtij memoriali u bë në një mënyrë gjysmë klandestine, ku munguan deklaratat publike, mediatike, aq të preferuara nga politika jonë, tregon se ka pasur një sforcim nga autoritetet shqiptare që ta pranonin këtë memorial?

Unë dua ta besoj se është kështu. Por unë besoj se ka jo pak në Partinë Socialiste, anëtarë dhe drejtues, që e kuptojnë rrezikshmërinë dhe papërshtatshmërinë e hapave të tilla, të cilat mund t’i shërbejnë një momenti të veçantë, mund t’i shërbejnë një drejtuesi të veçantë dhe kredibilitetit personal të tij, por që nuk i shërbejnë vendit dhe projeksionit afatgjatë me republikën e Turqisë.

Mos ndoshta me vendosjen e këtij memoriali, ne kemi legjitimuar automatikisht dhe represionin që Presidenti Erdogan u bëri intelektualëve, gazetarëve, mësuesve në Turqi, të cilët i konsideroi si përgjegjës të grushtit të shtetit, vetëm pse ata mund të mos e mbështesin Presidentin dhe të besojnë në diçka tjetër?

Ky ishte dhe arsyetimi im, që nesër në Turqi mund të vijë një qeveri tjetër dhe një President tjetër, i cili të ketë ide tjetër dhe qëndrim tjetër për ngjarjet e grushtit të shtetit. Atëherë ne do të duhet të transformojmë këtë memorial duke i cilësuar ata që deri dje konsideroheshin si autorë të grushtit të shtetit dhe armiq të demokracisë turke, t’i nderojmë si viktima të represionit të qeverisë së mëparshme apo të Presidentit të mëparshëm. Kjo është një lojë pa fund, por do të thosha dhe e pakuptimtë dhe e dëmshme për interesat e vendit tonë. Presidenti Erdogan ka dënuar dhe gazetarë që mendojnë kundër tij në kushte të tjera. Në kushtet e një grushti shteti të vërtetë, sigurisht që reagimet, të cilst shkojnë përtej një reagimi të zakonshëm në kushte paqeje, janë të kuptueshme. Grushti i shtetit është një akt i rëndë, i fortë, i cili kërkon ndryshimin e qeverisjes duke përdorur dhunën. Kështu që nuk mund ta vëmë në një plan reagimin e Presidentit Erdogan në kushtet e një qetësie dhe dialektike politike të brendshme, me kushtet e një grushti shteti, i cili është një moment i ekzaltuar i marrëdhënieve politike që përfundon me përdorimin armëve dhe shoqërohet me viktima. Thashë se ne nuk duhet të përfshihemi në këto probleme të brendshme të asnjë vendi, sepse duhet të na interesojë vendi dhe populli që përfaqëson qeveria manaxhuese e radhës dhe të mos tërhiqemi pas ngjarjeve të momentit, duke harruar ato që janë të perspektivës dhe të natyrës strategjike.

PANORAMA