Me atë ndaj Volverhemptonit bëhen 4 penallti të humbura nga Pol Pogba me fanellën e Mançester Junajtid këtë vit. Shumë për një lojtar si ai. Ndeshja u mbyll në barazim, 1-1, dhe tifozët në rrjetet sociale kanë shpërthyer ndaj mesfushorit francez.
Gabimi i Pogba, edhe pse i duhen dhënë meritat portierit Rui Patricio për pritjen, ka lënë shije të hidhur për trajnerin Solskjaer dhe lojtarët e Mançesterit. Rezultati në atë moment ishte 1-1 dhe aq mbeti, kështu që shigjetat janë drejtuar të gjitha te francezi, i cili duket i padëshiruar në Mançester. Mbi të gjitha, për atë debat me Rashford se kush do ta gjuante penalltinë. Një sjellje që i ka tërbuar tifozët e “Djajve të kuq”, që inatin e kanë shfryrë me postimet e tyre në rrjetet sociale. Ishte vetë Pogba që e fitoi penalltinë, por shumë tifozë mendojnë se atë duhej ta gjuante sulmuesi Rashford, që nga pika e bardhë ka qenë 100% i saktë. Shënoi edhe javën e kaluar ndaj Çelsit. “Markus Rashford duhej t’ia merrte topin nga duart Pogbasë dhe të gjuante ai”. “Faleminderit Pogba që na i hoqe pikët! Duhej ta gjuante Rashford penalltinë”. Këto ishin disa nga reagimet e tifozëve të Mançesterit.
Problemi në fakt, është më i thellë. Nuk ka një lojtar fiks, i cili duhet të gjuajë penalltitë dhe çdo herë Rashford dhe Pogba “zihen” se kush duhet të gjuajë. Trajneri Solskjaer ka thënë se që të dy mund të gjuajnë penallti dhe ky nuk është vendimi i duhur. “Të caktosh dy lojtarë për të gjuajtur penalltitë është budallallëk i trajnerit. Duhet t’i thotë Pogbasë se gjuajtësi është Rashford dhe pikë”, – shkruan dikush tjetër.
Shumë tifozë të tjerë shohin te sjellja e francezit mungesën e dëshirës për të luajtur me Mançester Junajtid. “Sjellja e tij është problem, do ta lija të ikte ku të donte”. “Nuk është çështje zotësie, Pogba duhet të largohet. Sër Aleks Ferguson e kishte kuptuar menjëherë”. Janë reagime të tjera tifozësh, ndërsa Geri Nevil e ka quajtur egoist mesfushorin në transmetim direkt. Një mendim që është mbështetur nga shumica e tifozëve. “Të shkosh të gjuash penalltinë pasi ke humbur 4, është një veprim absolutisht egoist. Nuk ka respekt për skuadrën dhe trajnerin. Është një mollë e kalbur”, shkruajnë të tjerë tifozë.