Kryeopozitari Lulzim Basha është takuar sot me ambasadorin e ri të Gjermanisë, Peter Zingraf, me të cilin ka biseduar edhe për krizën politike në vend. Pas takimit, Basha deklaroi se gjermanët “kanë tek unë një partner për të hedhur çdo hap që zgjidh krizën sipas standardeve, normave dhe parimeve europiane.”
“Arta Marku dhe Donika Prela dy Katicat e Edi Ramës. Mbyllja e dosjes 184 nga Katicat e Ramës bëhet për të hequr dosjen nga SPAK. Katicat e Ramës në prokurori duhet të ndiqen penalisht për shpërdorim detyre”, tha kreu i demokratëve.
Çështja e Agim Kajmakut, kryebashkiak i Vorës, u komentua gjithashtu nga kryeopozitari Basha. Sipas tij, Kajmaku është me dosje të hapur penale në Greqi dhe për këtë fakt është në dijeni edhe kryeministri Edi Rama.
“Edi Rama e njeh dosjen penale të Agim Kajmakut. E kanë informuar partnerët ndërkombëtarë. Pyetja ështe edhe sa kryebashkiakë të kriminalizuar ka futur Edi Rama?”, tha ai.
Basha theksoi se “kriza politike zgjidhet me zgjedhje të lira e të ndershme, të garantuara nga një qeveri tranzitore pa Edi Ramën.”
“Shkodra, Vora dhe lidhjet e Rilindjes me krimin tregojnë se Shqipëria është në udhëkryq të rrezikshëm dhe duhet të dalë prej saj”, deklaroi kreu i PD-së.