Kuriozitete Në kërkim të ufove, mbi 2 milionë persona do shkojnë pranë zonës...

Në kërkim të ufove, mbi 2 milionë persona do shkojnë pranë zonës 51

Një ftesë në ‘Facebook’ është kthyer në katalizorin e të entuziasmuarve pas UFO-ve, të cilët i ka ftuar të mblidhen në 20 shtator në afërsi të zonës 51 në Nevada, baza e famshme amerikane e përfolur si shtëpi e jashtëtokësorëve dhe anijeve kozmike. Më shumë se 2 milionë përdorues të rrjetit më të madh social të globit thanë se kanë ndërmend të shkojnë.

Banorët e qytezës së vogël të Rakeles, nuk dinë sesi t’i përgjigjen këtij interesimi. Disa e paralajmërojnë rreptësisht publikun të qëndrojë larg, nga frika se turmat e mëdha do ta mbysnin një fshat si ky që nuk ka as pikë karburanti e as markete. Të tjerë besojnë se ky vërshim përbën një rast të mirë biznesi, i cili nuk duhet flakur tej.

“Ne po mundohemi të shohim mundësitë sesi ta kthejmë këtë situatë në favorin tonë. Për çdo rast, edhe nëse e kundërshton, ajo ka për të ndodhur gjithsesi”, thotë një banor.

Zona 51 është rrethuar nga një tis misteri për dekada të tëra, duke i dhënë jetë teorive konspirative që nisin nga pretendimet se atje mbahen trupa alienësh e deri tek ruajtja e një anije hapësinore, e cila pretendohet të jetë rrëzuar në Rosëell, New Mexico.

Qeveria amerikane nuk e kishte konfirmuar ekzistencën e kësaj baze deri në vitin 2013, kur tregoi arkivat e CIA-s duke thënë se zona ishte përdorur për testimin e avionëve të fshehtë spiunë.