Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Excelsior” ka botuar, të mërkurën e 5 prillit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me lindjen dhe origjinën e Leka Zogut I, trashëgimtarit të drejtpërdrejtë të fronit mbretëror shqiptar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Oborret mbretërore
“Populli shqiptar po përgatitet të festojë lindjen e trashëgimtarit të fronit, veçanërisht fisi i Matit, i cili jeton në mal, në veri të mbretërisë, në vendin ku lindi N.M.T. Mbreti Zog.
Lindja e fëmijës do të ndodhë shumë shpejt (Në fakt, mbreti Leka I lindi ditën e botimit të këtij shkrimi), doktori Weibel, mjeku i njohur vjenez, gjendet në Tiranë që prej një jave. Nëse lind djalë, ai do të jetë trashëgimtari i parë i një froni evropian me origjinë amerikane… Ne e dimë, në fakt, se nëna e mbretëreshës Geraldinë është amerikane.
Sipas zakonit, njerëzit do ta mësojnë ngjarjen e lumtur nëpërmjet jehonës së artilerisë: njëqind e një të shtëna nëse është princ, njëzet e një nëse është princeshë.
Mbreti Zog ka deklaruar tashmë se djali i tij do të quhet Skënder, përkthimi shqip i Aleksandrit, për nder të heroit kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeut. Nëse është vajzë, ajo do të marrë emrin e gruas së Skënderbeut, Donikës.
Meqë pallati i ri mbretëror i Tiranës është ende në ndërtim e sipër, mbretëresha jeton në vilën e kunatës së saj, princeshës Senije.”
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania