Në një fjalim në parlament, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i duartrokitur nga deputetet e partisë së tij, ka deklaruar heqjen e plotë të kontrollit të kapitaleve, i vendosur në qershor te 2015 për të mbrojtur bankat greke nga falimentimi, në mesin e një krize politike dhe ekonomike që gjunjëzoi Greqinë për vite me radhë. Ai e ka përshkruar mbylljen e bankave greke në korrikun e atij viti si “katastrofike”.
“Sot deklaroj një nga premtimet tona që bëhet realitet para afatit. Në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Greqisë, rivendosim plotësisht normalitetin në lëvizjet e kapitaleve. Që nga sot, kontrollet e kapitalit i përkasin së shkuarës”, tha Kyriakos Mitsotakis kryeministër i Greqisë.
“Nuk mund të flasë Demokracia e Re për rivendosjen e normalitetit bankar, pasi ishte vetë ajo që ndihmoi në mbylljen e bankave greke në atë periudhë, duke përkrahur politikat shkatërruese të kreditoreve të Greqisë – ka deklaruar ish-ministri i Financave Janis Varoufakis, që morri vendimin për kontrollin e kapitaleve në qeverinë e atëhershme”.
Ndërsa edhe pasardhësi i tij Efklidhis Tsakalotos ka theksuar se heqja e plotë e kontrollit të kapitaleve, që vërtet është një hap pozitiv, ishte vendosur thuajse para zgjedhjeve të 7 korrikut nga qeveria e kryeministrit Tsipras.
Gjithsesi në memorien e grekëve, do të mbeten ato ditë të krizës në fund të qershorit të 2015, kur radhë të gjata njerëzish prisnin të tërhiqnin nga bankomatet vetëm 60 euro në ditë, pasi bankat u mbyllën për 21 ditë, në mënyrë që të mos kryheshin tërheqje masive nga frika e një falimentimi dhe të ashtuquajturit GREXIT.
Kontrolli i kapitaleve u lehtësua disa herë dhe në majin e vitit të kaluar mbeten vetëm disa kufizime të vogla, të cilat do të hiqen përfundimisht prej 1 shtatorit, duke kthyer normalitetin e sistemit bankar ne vend.