Qendrat e Specialiteteve po përballen me një fluks pune këto ditë vere, për shkak të një sërë analizash që prindërit duhet të kryejnë për fëmijët që i çojnë në çerdhe, kopshte apo shkolla.
Analiza e koprokulturës dhe vizita tek okulisti janë të detyrueshme.
Regjistrimet nëpër kopshte e çerdhe nisin në fillim të shtatorit, ndaj prindërit nxitojnë të bëjnë analizat e nevojshme të fëmijëve të tyre. Fëmijët që regjistrohen për herë të parë në çerdhe apo kopsht duhet të kryejnë analizën e koprokulturës. Kjo analizë kryhet në fakt për çdo vit, aq sa zgjat kopshti apo çerdhja. Fëmija duhet të ketë vërtetim të vaksinave, që është banor i lagjes dhe certifikatë personale me fotografi. Ndërsa fëmijët që shkojnë në klasë të parë krahas vërtetimit të vaksinave duhet të kryejë edhe vizitën e syve.
“Kam ardhur të marr analizën e koprokultures, se ma kërkojnë për fëmijën që e çoj në kopsht. Unë kam ardhur me rekomandimin nga mjeku i lagjes për t’i bërë vizitën e syve vajzës që e çoj në klasën e parë”, tregon një zotëri.
Për herë të parë këtë vit është zbatuar një project-pilot sipas të cilit analizat kryhen pranë 4 qendrave të specialiteve në kryeqytet.