Bota Kaos në Bahamas, mijëra vetë presin evakuimet. Ishulli është shkatërruar totalisht

Kaos në Bahamas, mijëra vetë presin evakuimet. Ishulli është shkatërruar totalisht

Qindra të mbijetuar të uraganit Dorian u larguan nga ishujt Bahamas, ndërsa mijëra të tjerë presin me ankth evakuimin. Stuhia vdekjeprurëse mbolli shkatërrim në ishujt në Atlantik më herët gjatë javës, duke lënë pas dëme katastrofike dhe një krizë të rëndë humanitare.

“Ishulli është shkatërruar totalisht, ka shumë kaos”, thotë një nga të mbijetuarit.

Sipas senatorit Marco Rubio, “duket sikur ka shpërthyer një bombë e jo si një stuhi”. Bilanci zyrtar i viktimave shkoi në 43 të premten, por autoritet paralajmërojnë se shifrat përfundimtare do të jenë tronditëse.

Turma njerëzish të dëshpëruar për t’u larguar dyndën portet e ishujve Abaco dhe Grand Bahama, dy prej më të goditurve nga uragani. Të mbijetuarit që mbanin me vete ato pak gjëra që u kishin mbetur, u ankuan për evakuimet kaotike dhe të ngadalta.

Transporti po kryhet me varka private dhe avionë, në pritje të mjeteve të tjera të transportit. Autoritet u bëjnë thirrje qytetarëve për qetësi dhe premtojnë transport falas. Sipas OKB-së, 70 mijë qytetarë janë në nevojë për ndihmë të menjëhershme humanitare, pas shkatërrimit të banesave të tyre.

Popullsia totale Bahamas arrin në 400 mijë. Tashmë një uragan i kategorisë se parë, Dorian gjendet në brigjet atlantike të Amerikës së veriut drejt Nova Skotia.