Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka zbuluar disa detaje sa i përket informacioneve që kishte për trazirat e pritshme në protestën e opozitës më 8 qershor.
Pak orë përpara nisjes së protestës, Meta njoftoi zhdekretimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, që shfryu tensionin midis mbështetësve të opozitës dhe policisë.
Meta tha se një informacion sekret dhe i klasifikuar bënte me dije se persona të caktuar do të shfrytëzonin protestën e 8 qershorit për të djegur Kuvendin e Shqipërisë.
“Në datën 7 qershor një ditë para se të bëj publike paralajmërimin për shfuqizimin e datës, presidenti ka marrë një informacion që është sekret dhe i kualifikuar, që persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e lajmëruar nga opozita, më 8 qershor, përveç akteve të tjera edhe për djegien e kuvendit të Shqipërisë. Informacioni ishte i besueshëm. Isha i bindur që në datën 8 qershor të evitohej në mënyrë të padiskutueshme një ngjarje e tillë”, tha Presidenti, që shtoi: “Sigurisht, ky ishte një informacion i ri në këtë drejtim, por i besueshëm”.
Sipas Metës, ky tension nuk do të prodhonte vetëm plagosje të protestuesve dhe policëve, por do të kishte pasoja edhe për jetët e qytetarëve.