Mbrojta e klimës, digjitalizimi, siguria nacionale… janë vetëm disa nga sfidat, për të cilat foli Angela Merkel në Bundestag. Në veçanti ruajtja e klimës konsiderohet si sfidë e madhe.
Kancelarja Angela Merkel ka kërkuar në Bundestag miratimin e masave për ruajtjen e klimës. “Nëse duam një ruajtje më të mirë të mjedisit dhe të klimës, atëherë duhet të ndajmë më shumë para“, tha ajo në debatin e përgjithshëm në Bundestag për buxhetin vjetor. Injorimi i kësaj çështjeje do të kushtonte edhe më shumë para. “Heshtja nuk është alternativë”, tha ajo
Merkel theksoi se vendimi duhet të merret më 20 shtator. Ndërsa ruajtja e mjedisit duhet të mbështetet tek inovacionet dhe mekanizmat e ekonomisë së tregut. Merkeli tha se duhet të gjenden zgjidhjet e duhura për ruajtjen e klimës dhe zvogëlimin e emetimit të dioksidit të karbonit në ajër. Njëkohësisht duhen gjetur zgjidhje që e mbështesin zhvillimin ekonomik. Kjo mund të bëhet përmes energjisë së ripërtëritshme.
Gjermania duhet të investojë më shumë në inteligjencën artificiale, mendon kancelarja. Ndërsa Evropa duhet të forcojë disa segmente, ku SHBA dhe Azia janë në përparësi. Sa i përket digjitalizimit, Merkel mendon se Evropa duhet të angazhohet më shumë në këtë drejtim, sepse disa pjesë të tjera të botës janë në epërsi.
Merkel kërkon forcimin e rolit të Evropës
Merkel theksoi se në Gjermani duhet të ketë zhvillim të barabartë në të gjitha rajonet. Zhvillimet mes rajoneve rurale dhe urbane janë të ndryshme. “Këtu duhet të gjejmë përgjigjet përkatëse.” Këtu bën pjesë edhe përkujdesja mjekësore.
Kancelarja kundërshton me vendosmëri racizmin, duke kërkuar “zero tolerancë” ndaj urrejtjes, racizmit dhe përkufizimeve ndaj njerëzve të tjerë. Ajo ka dënuar ashpër sulmet e fundit ndaj hebrenjve dhe të huajve.
Kancelarja gjermane kërkon një rol edhe më të fuqishëm të Evropës në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes në botë. Evropa duhet të zhvillohet më shpejt në “fushën e sovranitetit”. “Evropa duhet të luajë një rol më të rëndësishëm edhe në zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve.” Bashkimi Evropian do të dobësohet me daljen e Britanisë së Madhe. Por kjo do të thotë se BE duhet të zhvillojë forca të reja.
Gjermania duhet të përgatitet për ndarjen e një sasie më të madhe parash për mbrojtje. Nuk ka automatizma, si në kohën e Luftës së Ftohtë, kur SHBA kishte një rol mbrojtës për evropianët, tha Merkel. Ndaj është me rëndësi që Gjermania të mbajë premtimet e veta për ngritjen e përqindjes së fondeve që duhet të ndajë për nevojat e NATO-s.
Kritikat e AfD
Shefi i deputetëve të AfD në Bundestag, Alexander Gauland, ka kritikuar qeverinë federale për një politikë aksioniste në ruajtjen e klimës si dhe për qëndrimet e saj për politikën e mbrojtjes. “Në vitin 1945 ne kemi qenë djalli i botës, e tani duam të jemi shembull”, tha Gauland. Ndërkohë që, sipas tij, Gjermania nuk mund të jetë fuqi relevante për ruajtjen e klimës. Gaulandi kritikon qeverinë edhe për hapjen e dyerve për “ardhjen masive të të huajve nga mbarë bota”.
Ekologjistët dhe liberalët ofrojnë bashkëpunim
Shefja e deputetëve ekologjistë në Bundestag Katrin Göring-Eckardt tha se kjo parti është e gatshme për negociata, kur bëhet fjalë për ruajtjen e klimës dhe mjedisit. “Duhet të pushoni me fjalime dhe të filloni punën”, tha Göring-Eckardt. Politika e “zeros së zezë”, që nënkupton mos futjen në borxhe të reja, ishte temë debati në fjalimin e shefit të liberalëve Christian Lindner. Ministri i Financave Olaf Scholz është duke shpenzuar para më shumë sesa që ka në dispozicion, tha ai. “Nga zeroja e zezë ai ka bërë një zero të kuqe”, mendon Lindner. Por edhe ai kërkon konsensus në politikën ndaj klimës. Majtistët kritikuan qeverinë për një politikë jo sociale dhe për dallimet tepër të mëdha mes shtresave të ndryshme./DW