Boksieri shqiptar Florian Marku ka arritur të fitojë me vendim unanim ndeshjen ndaj çekut Miroslav Serban, të zhvilluar të premten në mbrëmje në Londër.
Marku triumfoi pas gjashtë raundeve të zhvilluar në sallën “York Hall” të kryeqytetit britanik.
Kundërshtari i Markut, 28-vjeçari Serban, në karrierën e tij në boks ka realizuar deri tani 15 ndeshje – duke përfshirë edhe ndeshjen ndaj Markut – nga të cilat ka arritur të fitojë 11. Kjo ishte humbja e katërt në karrierën e tij.
Interesimi për këtë ndeshje ka qenë mjaft i madh dhe shumë shqiptarë kanë qenë prezent në eventin “UltimateBoxxer” në Londër. Në mesin e përkrahësve shqiptarë prezent në arenë kanë qenë edhe dy futbollistët, Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi.
“Vazhdojmë përpara”, shkruan Marku në një postim në Instagram pas fitores. “Falënderoj Zotin dhe vëllain tim Kristian Boçi, që më mbështeti me gjithë zemër. Stërvitja me trajnerët këtu në Londër ishte fantastike. Faleminderit të gjithëve nga zemra për përkrahjen tuaj. Vazhdojmë fuqishëm. Zoti ju ruajt”, mbyll postimin e tij Marku.
Kjo ishte fitorja e pestë në po kaq ndeshje për Markun në boks, pas eksperiencës me katër duele dhe po kaq fitore në Artet Marciale Mikse. Ai ka gjithashtu 102 triumfe dhe vetëm 4 humbje në kick-box.