Ajo që i ka munguar Chelsea-it gjatë këtij sezoni është padyshim një sulmues i cili të garanton të paktën 20 gola në sezon. Sipas mediave angleze, Maurizio Sarri dëshiron të shohë Gonzalo Higuain me fanellën e “Bluve” të Londrës. Trajneri italian e njeh shumë mirë argjentinasin, pasi kanë punuar të dy së bashku tek Napoli, ku “El Pipita” pati sezonin më të mirë në karrierë, me 36 gola të shënuar në një sezon të vetëm të Serisë A.
Megjithëse kohët e fundit nuk ka kaluar një periudhë shumë të mirë tek Milani, Higuain është mbrojtur vazhdimisht nga trajneri Gennaro Gattuso, i cili e konsideron yllin e tij si një nga pikat kyçe të skuadrës. Gjithsesi, për ta bërë marrëveshjen më të mundshme, drejtuesit e Chelsea janë gati ti ofrojnë kuqezinjve kartonin e Alvaro Moratas, të ulin çmimin e transferimit të Bakayokos, si dhe të lehtësojnë kalimin e Cesc Fabregas me parametër zero.
Një avantazh shtesë për londinezët, është dhe “bekimi” i Juventus për transferimin e Higuain në Angli, pasi 30-vjeçari ka kaluar tek Milani në formën e huazimit me të drejtën e blerjes, me 18 milionë euro të paguara merkaton e kaluar, dhe 36 të tjera për tu derdhur në arkat e “Zonjës së Vjetër” verën e ardhshme.
Në rast të një akordi me klubin e Roman Abramovich, Milani do ti kursente këto 36 milionë euro për marrëveshje të tjera në merkato, duke qenë se kuqezinjtë duhet të kenë gjithashtu kujdes me rregullat e fair-play financiar.