Kryesore Sigurimi i Shtetit, kërkohet hapja e dosjes së Berishës

Sigurimi i Shtetit, kërkohet hapja e dosjes së Berishës

Ish të përndjekurit politikë kërkojnë identifikimin e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, të maskuar prej 25-vitesh si ish të persekutuar, disidentë dhe antikomunistë të flaktë.

Kreu i Partisë Rruga e Lirisë, Kurt Kola, është shprehur dje për Shqiptarja.com, se në emër të ish të përndjekurve dhe partisë që drejton, do t’i kërkojë autoritetit për hapjen e dosjeve, të hapë dosjet e disa figurave të rëndësishme të politikës shqiptare dhe disa personazheve që përfaqësojnë sot shtresën e të përndjekurve.

Kola ka pohuar se ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë në krye të listës së personave, për të cilët do të kërkohet informacion rreth raportit të tyre, nëse ka, me ish-Sigurimin e Shtetit.

Po ashtu do të kërkohet informacion mbi të dhënat e mbledhura nga Sigurimi i Shtetit për personat në fjalë.

Ne do të bëjmë kërkesa që të hapen dosjet për të gjitha krerët e partive politike. Për drejtuesit dhe ish-drejtuesit e shtetit. Për drejtuesit e shoqatave, institucioneve etj. Sali Berisha do të jetë në krye të listës, i cili prej 25 vitesh hiqet si antikomunist. Të shohim rolin e tij të vërtetë gjatë diktaturës. Por, mund të them se do kërkojmë hapjen e dosjeve duke filluar që nga dosja ime”,tha Kola. Po ashtu, Kola ka artikuluar një mesazh edhe për një nga drejtuesit e shoqatave të ish të përndjekurve.

Spiunët, të maskuar si të përndjekur politikë, me kryespiunin B. Ndregjoni, morën urdhër nga padronët e tyre dhe dolën kundër shtresës së persekutuar! Por këto sorra janë në grahmat e fundit, sepse tani do t’ju hapim dosjet dhe t’ i demaskojmë që të mos kenë fytyrë të dalin në publik para të cilit deri tani kanë qenë me maska… Spiunë të vjetër e të rinj mbaroi epoka e poshtërsive tuaja”, është shprehur Kola.

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, kohë më parë, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha, për lidhje me UDB e ish-Jugosllavisë. Balla tha se dosja e Berishës gjenden në arkivat e Beogradit. “Faktet janë të pakontestueshme dhe origjinale. Jemi në pritje të disa dokumenteve të tjera. Në dosjet e ish-UDB fshihen dokumente të përfshirjes së Sali Ram Berishës në shërbimet sekrete jugosllave. Një tekst i shkurtër në gjuhën serbe në dokumentet të cilave iu referova. Përkthyer në shqip: U kontaktua me agjentin tonë në Tiranë. S. Berisha ka raporte shumë të mira me udhëheqjen komuniste. 5 Janar 1987”, ka pohuar Balla.