Që nga mbërritja në verën e vitit 2015, Elseid Hysaj ishte menjëherë pikë referimi te Napoli. Maurizio Sarri e mori shqiptarin nga Empoli, ku kishin qenë të dy bashkë, dhe e sistemoi në ekipin e tij të ri. Këtë vit, megjithatë, mbrojtësi ynë kuqezi ka përfunduar në opsion të tretë për Carlo Ancelotti. Në tri sezonet me trajnerin aktual të Juventusit, anësori i djathtë i datëlindjes 1994 ka luajtur rregullisht, duke i kaluar 3000 minuta aktivizim në Serie A, me një minimum prej 35 paraqitjesh nga 38 ndeshje në total vetëm në kampionat. Kjo vazhdimësi filloi të lëkundet që me ardhjen e Carlo Ancelotti dhe Kevin Malcuit, plus spostimin e Maksimovic në të djathtë të mbrojtjes.
Këtë verë, Giovanni Di Lorenzo, i cili gjithashtu erdhi nga Empoli, ia mbylli hapësirat shqiptarit përgjithmonë. Mbrojtësi toskan mori menjëherë një fanellë titullari dhe fitoi besimin e Carlo Ancelotti. Dhe kur ishte koha për të kapur shansin e tij, Kevin Malcuit e zuri vendin në transfertën me Lecce. Hysaj deri më tani, mes kampionatit dhe Championsit, ka luajtur vetëm 6 minuta gjithsej, në sfidën e parë të Serie A, kundër Fiorentinës. Pastaj, gjithmonë në stol, me një problem të vogël fizik në këmbë, që e ka penguar edhe më shumë. Duke pasur parasysh performancën e Di Lorenzo, megjithatë, shkodrani kuqezi me siguri do ta kishte tepër të vështirë për të gjetur hapësirë te Napoli i këtij sezoni.
Elseid Hysajt ishte në qendër të diskutimeve të merkatos së verës. Agjenti i tij deklaroi se aventura me blutë kishte marrë fund. Sidoqoftë, askush i interesuar nuk insistoi ta merrte atë, ndaj qëndroi në “San Paolo”. Në rolin e vet ka dy sfidantë të barabartë, si zëvendësues, ndërsa përshtypja është se shqiptari konsiderohet zgjedhje e tretë për Ancelotti. Një hap i dhimbshëm prapa për atë që, nga viti 2015 deri më 2017, ishin një titullar i padiskutueshëm i Napolit, që ëndërronte “scudetto”.