Alfred Alizoti, i dyshuari si aktrues i zërit të vëllait të ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, në audio-përgjimin “Babalja”, ripohon në gjykatë se nga ish-deputeti demokrat Ervin Salianji i ishin premtuar 200 mijë euro për inskenimin e bisedës.
I pyetur nga gjyqtari Artan Gjermeni për rrethanat e çështjes, ai u përgjigj: “Mu ofrua shuma 200 mijë euro për regjistrimin. E bëra unë regjistrimin. Do t’i ndaja gjysmë për gjysme me Albert Veliun. Do na i jepte Salianji. Nuk m’i dhanë lekët, se po t’i merrja nuk do të bëja kallëzim. CD-në ia dhamë Salianjit tek PD”.
Më tej ai ka treguar se shkak ishte goditja e Fatmir Xhafës, pasi ishte goditur ministri i parë i Rendit, Saimir Tahiri
“Albert Veliu është kërcënuar nga Ervin Salianji për të dalë në konferencë për shtyp. Regjistrimi i konferencës për shtyp do të dërgohej te Partia Demokratike. Meqë u godit ministrin i parë i rendit duhej të goditej edhe ministri i dyte që ishte Fatmir Xhafaj”, tha Alizoti.
Pastaj tregoi si ra në kontakt Albert Veliu me të.
“Detyrën e kishte marrë, po Albert Veliu nuk kishte besim nga vlonjatët, prandaj më kontaktoi mua. Mua mu duk shumë e madhe parash dhe pranova. Albert Veliu përveç parave donte dhe azil politik. Sipas meje Albert Veliu ka marrë lekët, gabimi im është që nuk i kam regjistruar bisedën. Ngjarjen nuk e ka ditur asnjë përveç një shokut tim nga Elbasani. Salianjin dhe Gazmend Bardhin i kam takuar te PD pas regjistrimit. Nuk kam qenë informator i policisë”, tha Fredi Alizoti.
Ai dëshmoi se ndihet i kërcënuar nga ish-deputeti demokrat, Ervin Saliaji.
“Numrin e Taulant Ballës ia mora një shoku pasi ndihesha i kërcënuar, por nuk ma hapi telefonin. Ndihem i rrezikuar nga Ervin Salianji dhe njerëz të tjerë të PD pasi kam parë disa lëvizje. Besim Hajdarmataj e ka takuar tre herë Albert Veliun”, tha Alizoti.
Më pas Alizoti përfshin në histori Sali Lushën, babain e këngëtarit Arkimed Lusha, i njohur si Stresi. “Kur Alberti iku në Kosovë, unë kam ndenjur te shtëpia e Sali Lushës. Ne prisnim lekët. Kur shkova te PD më thotë kamarieri që kanë ikur. Ai më tha që Veliun e kishin veshur me mjekër dhe me paruke. Unë kam folur me të edhe mbrapa. Flisja dhe me Sali Lushën më mbrapa. I thosha, hajde të marrim lekët dhe t’i ndanim bashkë, unë, Lusha dhe një shok i tij”.