Aktualitet Përplasi për vdekje italianin, dënohet i riu shqiptar

Përplasi për vdekje italianin, dënohet i riu shqiptar

Gjykata në Itali ka dhënë dënimin për një të ri shqiptar, i cili dy vite më parë përplasi rëndë me makinë një italian. Mohamed Koni, 22 vjeç, u dënua me 3 vite burg, gjobë 1600 Euro dhe heqje patente. Me 11 Shtator të vitit 2016, i riu përplasi Mario Otello-n duke i shkaktuar vdekjen.

Italiani po lëvizte me biçikletë në kohën që u aksidentua me makinë. Nga ana tjetër, i riu shqiptar nuk ndaloi për t’i dhënë ndihmën e nevojshme të lënduarit, por u arratis. Ai u dorëzua disa ditë më vonë, në momentin që e kuptoi që nuk kishte më nga t’ia mbante, pasi hetuesit kishin rënë në gjurmët e tij.

Dënimi për të riun u dha të martën, ku gjykatësi vendosi gjithashtu dëmshpërblim për njerëzit e afërm të viktimës.

Përveçse e përplasi, Koni u largua nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë ndihmën e parë italianit Mario Otella. Ky i fundit qëndroi në koma më shumë se një vit. Plagët që mori në aksident ishin shumë të rënda dhe ai vdiq më 31 Gusht të 2017-s në moshën 28-vjeçare.