Politika Kryemadhi: Më mirë të dënohem unë e Basha sesa të kemi një...

Kryemadhi: Më mirë të dënohem unë e Basha sesa të kemi një ‘97 të dytë

“Për ne do ishte më mirë që të dënohem unë e Basha për djegien e mandatave sesa të kemi një ‘97 të dytë, të dënohen shqiptarët”. Kështu është shprehur kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në studion e Provokociajas së Mustafa Nanos, e pyetur për kundërshtinë amerikane në lidhje me djegien e mandatave.

Sipas saj SHBA nuk ishte dakord me rrugën e opozitës pasi krijohej precedenti.

“SHBA nuk është dakord me rrugën tonë. Kanë qenë kundër djegies së mandateve, kundër bojkotit të gjitha sepse e quajnë çështje precedenti. SHBA bashkëpunon me çdo qeveri dhe SHBA do të vijojë marrëdhëniet me shqiptarët. Ne drejtuesit e partive do paguajmë për këtë vendim që kemi marrë , por për ne do ishte më mirë që të dënohem unë e Basha për djegien e mandatave, sesa të kemi një ‘97 të dytë të dënohen shqiptarët. Për ne është më mirë që të dënohemi ne sesa të kemi shqiptarë të vrarë dhe të vijojë kjo shpërngulje masive e shqiptarëve”.

Ndërsa nuk është penduar aspak për djegien e mandateve, pasi sipas saj u vërtetua lidhja e Ramës me krimin.

“Jo, është hequr perdja që ishte krijuar në sytë e ndërkombëtarëve. Shqipëria ka shpërngulje masive, ekonomia është në minimunim e saj dhe nuk mund të ishim fasadë. Të gjithë ne thonim që Rama është i lidhur me krimin. Nëse do hynim në zgjedhjet lokale do finalizonim një proces zgjedhor do i jepnim ndonjë bashki të humbur.

30 qershori tregoi se Rama mund të zgjidhte 61 kryetarë bashkish më të mirët që ka Shqipëria intelektualë, profesorë. Në bazë të ligjit sikur vetëm 5 vota të merrnin pjesë shpallen fitues. Ky tregoi lidhjen e vet me krimin. Kush e ndalonte Ramën që të mos vinte Valdrin Pjetrin.

Rama nuk është budalla, por është kalkulator, Rama priste që ne të digjnim Shqipërinë e zyrat e bashkive, ky prapë i zgjodhi deri tani kanë dalë 3 ka edhe nja 14 të tjerë. Ky njeri nuk bën dot zgjedhje dhe nuk rri dot pa kontrolluar procesin zgjedhor,

Zgjedhjet e ardhshme do jenë me reformë të re zgjedhore. Reforma zgjedhore do bazohet mbi raportin e 5 shtatorit të 2019”, tha Kryemadhi.

“Meta do vijojë deri në fund t’i japë oksigjen Ramës”

Nuk ka kursyer vlerësimet për Presidentin dhe bashkëshortin e saj Ilir Meta, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Në këndvështrimin e saj Ilir Meta është një vizonar dhe shtetar në politikë, i cili ka dhënë shansin dhe mundësinë Ramës për ta futur në rrugën e legjitimitetit.

“Meta do vijojë deri në fund të japë oksigjen Ramës, se Ilir Meta është gjithmonë për funksionimin mekanizmave. Meta gjithmonë i ka dhënë shansin dhe mundësinë Ramës për ta futur në rrugën e legjitimitetit dhe për t’i dhënë oksigjen për ta ulur në tryezën e bisedimeve dhe jemi të lumtur që nuk pranoi më 8 qershor”.

Tryeza e OSBE, një kurth

Sipas Kryemadhit, tryeza e OSBE ishte një kurth.

“Tryeza e OSBE ishte një kurth, që t’i thoshte Bundestagut që opozita nuk desh. Tha nuk flas me përkthyes, por ai ka 6 vjet që flet me përkthyes”.

Kryemadhi ka shigjetuar edhe të gjithë ata përkrahës në kohë paqeje, dhe që largohen në kohë të vështira.

“Monika del mbi ujë kur nuk ka elementë tjetër që zgjidh, kur ka momente të vështira. Në periudhë paqe, Monika vdes dhe lulëzojnë të tjerët, ndërsa në luftë ata rreth e qark Metës bëhen me kundërshtarin dhe Monika mban llogoren.

Ilir Meta është shtetar, është njeriu që nuk e ka pranuar djegien e mandateve dhe do ma përmendë deri ditën që do mbyll sytë sepse është kundër këtij procesi, sa radikal është për qëndrime me sovranitetin aq dhe radikal është për ruajtjen e institucioneve edhe stabilitetit”.

E pyetur nëse Meta e lë Presidencën, Kryemadhi shprehet: “Kjo do ishte gjë shumë e mirë për mua, sepse do ta nxirrte nga korniza e Presidentit dhe e paanshmërisë dhe shqiptarët do shihnin një pozicion tjetër të tij ku ai jep dhe më shumë dhe do krijonte hapësira për të ndërgjegjësuar ndërkombëtarët, se mban pozicion të distancuar”.

Ajo ka mohuar bashkëpunimin Meta-Basha, se po të ishte do ishte rezultati i 2011.

“Bashkëpunimi Meta-Basha nuk eksiton, se po të ishte do ishte rezultati i 2011. Pozicionimi i Metës si president e mban të distancuar jo vetëm nga Basha, por edhe nga unë. Ka munguar kimia mes tyre”.