Princi i Kurorës saudite Mohamed bin Salman, njëherësh sundimtari de fakto i Arabisë Saudite, mohoi se ai urdhëroi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi gati një vit më parë, por tha se ai përfundimisht mori “përgjegjësinë e plotë” për atë që ndodhi si udhëheqësi i shtetit.
Në një intervistë me CBS, Bin Salman e quajti një vrasjen një krim të tmerrshëm, pa mohuar se autorët kanë qenë kontingjent pranë qeverisë saudite.
“Në asnjë mënyrë (ta ketë urdhëruar vrasjen). Ishte një krim i tmerrshëm. Por unë marr përgjegjësinë e plotë si udhëheqësi i Arabisë Saudite, veçanërisht sepse është bërë nga individë që punojnë për qeverinë Saudite”, u përgjigj ai. “Nëse një krim kundër një qytetari saudit është kryer nga zyrtarë që punojnë për qeverinë saudite, unë si udhëheqës duhet të marr përgjegjësinë. Ky ishte një gabim”, tha Bin Salman.
Gjyqësori Saudit ka kërkuar të heqë dyshimet nga lideri saudit dhe ka arrestuar më shumë se dy duzina njerëz si pjesë e një hetimi për vrasjen, pesë prej të cilëve përballen me dënimin me vdekje.
Komentet e fundit nga Princi i Kurorës saudite korrespondojnë me ato të një inserti në kuadër të një dokumentari, në të cilin ai ka thënë: “Unë kam gjithë përgjegjësinë sepse gjithçka ndodhi gjatë detyrës time”.
Por Hatice Cengiz, e fejuara e Jamal Khashoggi, i përshkroi komentet e Princit si “manovër të pastër politike”.
“Të thuash që gjithçka ndodhi gjatë mandatit të tij, i dërgon një mesazh botës se ai është më me ndikim se Mbreti i Arabisë Saudite, dhe se ai është udhëheqësi i vërtetë i vendit”, tha Cengiz.
Në pjesën e mbetur të intervistës, Princi Mohammad bin Salman vlerësoi se një luftë e mundshme saudito-iraniane do të çonte në një “kolaps të plotë të ekonomisë botërore”, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të “pengojë” Teheranin.
“Nëse bota nuk përpiqet ta pengojë Iranin me një veprim të fortë dhe vendimtar, ne do të dëshmojmë një përshkallëzim edhe më të madh që do të kërcënojë interesat botërore”, tha Princi i Kurorës për CBS në 60 Minuta, raporton AFP.
“Furnizimi me naftë do të prishet dhe çmimet do të shkojnë në një nivel të paimagjinueshëm, të cilat ne nuk e kemi njohur më parë”, tha ai.
Pasojat, paralajmëroi ai, do të ndihen në të gjithë botën: “Kjo zonë siguron 30 përqind të furnizimit me energji në botë, gati 20 përqind të trafikut të mallrave në botë dhe rreth katër përqind të PBB-së botërore. Imagjinoni që këto tre gjëra zhduken”.
“Do të ishte një kolaps i plotë i ekonomisë botërore dhe jo vetëm i vendeve saudite dhe të Lindjes së Mesme”, tha Mohammad bin Salman.
Ai përshkroi si absurd sulmin e 14 shtatorit mbi objektet e naftës saudite, të cilat Riadi dhe Uashington ia atribuojnë Iranit. “Ky nuk është një synim strategjik. Vetëm një alien mund të sulmojë pesë përqind të furnizimit në botë. Qëllimi i vetëm strategjik është të tregonin se ata janë budallenj, gjë që ata e konfirmuan”, tha Princi i Kurorës.