Kryesore Rama fton studentët ekselentë dhe mjekët: Këtu fitoni mbi 2500 USD në...

Rama fton studentët ekselentë dhe mjekët: Këtu fitoni mbi 2500 USD në muaj, në Gjermani paguani 5 herë më shumë taksa

32 autoambulanca të reja i janë shtuar flotës së urgjencave në Qendrat Spitalore Universitare.

I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të flotës, kryeministri Edi Rama se synimi i qeverisë ka qenë reformimi i urgjencave dhe ky sektor tashmë është përballë ndryshimeve të mëdha.

Sfidë mbetet, tha Rama, që urgjenca t’i përgjigjet në kohë reale çdo qytetari në nevojë. Duke iu referuar statistikave, Rama tha se nga nëntori i vitit 2015 dhënia e ndihmës së parë përmes Urgjencës ka shpëtuar 3 mijë jetë njerëzore.

Duke u ndalur te largimi i mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit, Rama solli shembullin sesi drejtuesi i urgjencës është kthyer nga jashtë vendit dhe po udhëheq, sipas tij, transformimin e këtij reparti në sistemin shëndetësor.

Ndërsa shtoi se pas janarit do punësohen 300 mjekë të rinj në sistemin shëndetësor, duke theksuar se ata që do zgjedhin të punojnë jashtë zonave të tyre të banimit, do përfitojnë edhe bonusin prej 2 mijë dollarësh. Thirrja e Ramës ishte pikërisht për mjekët që duan të largohen në drejtim të Gjermanisë.

“Kemi ata që derdhin lot krokodili se po na largohen mjekë dhe infermierë. Por urgjenca sot drejtohet pikërisht nga një mjek i kthyer nga jashtë për të reformuar këtë sistem dhe që është protagonisti kryesor i këtij transformimi“, tha Rama.

“Janë 4 mijë infermierë që duan të hyjnë në sistem dhe janë në Shqipëri, jo në Gjermani, janë në portal, por ndryshe nga sa ka ndodhur për 25 vjet, nuk hyn më në punë përmes partisë e parasë, por përmes pikëve të fituara në testimin kombëtar të infermierëve. Pas janarit do kemi 300 mjekë të rinj specialistë të cilët po ashtu në bazë të meritës dhe rezultateve do të mund të zgjedhin se ku dhe nëse duan të kontribuojnë. Për të gjithë ata që do kontribuojnë në ato zona që janë jashtë zonave të tyre të banimit, do marrin aq sa do merrnin nëse do ta fillonin punën në Gjermani. Aq marrin të gjithë mjekët që shkojnë jashtë Tiranës për të shërbyer si specialistë. Marrin rrogën si mjekë dhe marrin mbi rrogën 2 mijë deri në 2500 dollarë në muaj. Taksat këtu janë 5-fish më të ulëta se në Gjermani dhe këtu llogaritë iu dalin më mirë”.

Sa i takon repartit të Urgjencës, Rama tha se do vijojnë reformimi i këtij sistemi për të dhënë shërbimin te pacienti në kohë reale.

“E ardhmja është ende larg për një Urgjencë Kombëtare Mjekësore që t’i përgjigjet në kohë reale çdo familje dhe çdo njeriu në nevojë në vend. Por sot ka një të dhënë domethënëse që është thelbi i asaj që nisëm…për të kërkuar urgjencën nuk ka më nevojë për të kaluar nga spitali dhe të presësh në pafundësi që spitali të çojë fjalën te urgjenca dhe urgjenca të vijë te ti. Sot urgjenca është e lidhur direkt me çdo qytetar shqiptar. Sot është një shërbim që garanton padiskutim asistencën bazë në të gjithë territorin”.

Pagat e mjekëve dhe infermierëve, janë larg së qeni ashtu siç duhet të jenë, por janë larg me atë çfarë ka qenë, por janë shumë larg me ca ishin.  Vitin e ardhshëm do të rriten pagat e mjekëve dhe infermierëve, por dhe do të paguajmë dhe 1 200 dollarë për të gjithë studentët ekselentë.Ne do ta bëjmë këtë dhe do i mirëpresim në sistem. Dhe ta në fund do zgjedhin Shqipërinë apo botën sipas dëshirës së tyre. Por krahas bursës  për ekselentët do japim bursën për ata që vijnë në jetë, për bebet. Duke u uruar çifteve të reja të shtyjnë fort përpara, ju uroj suksese në urgjencën e re kombëtare”, shtoi ndër të tjera në fjalën e tij Rama.