Pak ditë para vendimit të Brukselit për integrimin e Shqipërisë, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shpreh shqetësimin për përgatitjen e vendit tonë për këtë proces.
Deputeti i PS propozon ndryshime në projektrezolutën e Kuvendit drejtuar shteteve anëtare të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
Dokumentin e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës parlamentare, Bushati e korrigjon që në titull pasi sipas tij Kuvendi nuk ka tagër vendimmarrës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim por vetëm mund ta mbështesë këtë proces.
Në këto amendime Bushati propozon të shtohet një pikë e re me qëllim për ti kërkuar qeverisë shqiptare një plan strategjik pune për procesin e integrimit. Nga ana tjetër ish-ministri vendos afate kohore për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe reformës zgjedhore si angazhime parësore për procesin e integrimit. Në amendimet e tij thekson se Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK dhe BKH duhet të ngrihen brenda vitit 2019.
Komisioni i Integrimit ka pranuar në parim pothuajse të gjitha amendimet e Ditmir Bushatit por pritet të vendoset në mbledhjen e radhës plotësimi i projektrezolutës me propozimet e deputetit socialist. Të enjten Parlamenti do ta miratojë këtë projekt për t’ia dërguar më pas Bashkimit Europian dhe institucioneve shqiptare.
Ja amendamentet:
-Propozon amendimin e titullit të rezolutës. “Çelja e negociatave” të bëhet “Mbështetje për procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim”.
-Amendim për vlerësimin e punës përgatitore të nisur nga KE me institucionet shqiptare të njohur si procesi“screening”.
-Të rikonfirmohen angazhimet që burojnë nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë datë 24.05.2018
-Kuvendi të nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019.
-Kuvendi të angazhohet në përfundimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, të ndershëm dhe demokratik.
-Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave të konsolidojë ritmin e reformave, veçanërisht me fokus sundimin e së drejtës dhe liritë e të drejtat themelore.
-Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave që të paraqes brenda datës 31 Tetorit 2019 planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
-Kuvendi i bën thirrje Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian që në përputhje me rekomandimin e Komisionit Evropian të 17.04.2018, rikonfirmuar në 29.05.2019, si dhe Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Këshilli Evropian, të qershorit 2018, të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë.