Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot mbledhjen e radhës në të cilën u shqyrtuan disa nga prioritetet në lidhjen me funksionimin e Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe emërimin e kandidatëve për magjistratë të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës.
Më përputhje me komptencat e përcaktura nga ligji, Këshilli vendosi nisjen e procedurës për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatave së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i hapur rruge krijimit të këtyre gjykatave.
Gjithashtu nisi procesin e komunikimit me institucionet shtetërore kompetente për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve për magjistratë të diplomuar në vitin 2018.
Këshilli miratoi deklarimin e mbarimit të statusit të gjyqtarit Metush Saraçi, për shkak dorëheqjeje.
Ish-kryetari i gjykatës së Apelit të Tiranës, Metush Saraçi, dha dorëheqjen me 5 nëntor. Në dorëheqjen e tij, ish-kreu i gjykatës së Apelit të Tiranës ka dhënë si argument arsyet shëndetësore për shkak të moshës që sipas tij nuk e lejojnë të vijojë detyrën si gjyqtar në gjykatën e Apelit.
Dorëheqja e Saraçit erdhi në një moment kur Komisioni ka përfunduar kontrollin e vettingut të listës prioritare të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kandidojnë për KLP dhe KLGJ dhe më pas janë shortuar për tu kontrolluar drejtuesit e prokurorive dhe gjykatave si dhe gjyqtarë dhe prokurorë të Apeleve.
Por Saraçi nuk është gjyqtari i vetëm që ka zgjedhur këtë rrugë për të shmangur vettingun.
Më herët janë dorëhequr dhe gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, përfshirë dhe ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj dhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.