Jamarbër Malltezi në një konferencë për mediat nga selia blu denoncoi moszbatimin e moratoriumit të pyjeve. Ai u shpreh se pyjet po shfarosen për qëllime tregtare në një kohë që moratoriumi 10-vjeçar e ndalon prerjen e pyjeve për qëllime fitimi që kalon përtej nevojës së banorëve të zonave të ndryshme për t’u ngrohur gjatë dimrit.
Por sipas Maltezit kushdo që paguan ryshfet tek pushteti mund të presë pyjet brenda zonave të mbrojtura.
“Një inspektim njëditor në pyjet dhe zonat e mbrojtura të Librazhdit tregoi se ligji për moratoriumin e prerjes së pyjeve ekziston vetëm në letër. Përtej propagandës dhe fasadës që tregon Edi Rama, e vërteta tregon se pyjet po shfarosen për qëllime tregtare në Librazhd, Kolonjë, Dibër dhe deri në Tiranë siç ishte rasti i djeshëm në Laknas.
Moratoriumi 10-vjeçar e ndalon prerjen e pyjeve për qëllimi fitimi që kalon përtej nevojës së banorëve të zonave të ndryshme për t’u ngrohur gjatë dimrit., por kushdo që paguan ryshfet tek ky pushtet mund të presë pyjet brenda zonave të mbrojtura.
Duke lejuar prerjen e pyjeve me gjithë denoncimet thuajse të përditshme në rrjetet sociale dhe mediat online Edi Rama dhe Taulant Balla po faktohen se janë pjesë e kësaj lakmie shkatërruese antiligjore. Në ligj banorët mund të marrin dru zjarri për ngrohje personale, por pushteti kriminal burgos fshatarët që marrin dy mushka dru për t’u ngrohur dhe trajton si të paprekshëm banditët që japin ryshfetin tek Edi Rama.
Inspektimi 1 ditor në pyjet dhe zonat e Librazhdit tregon se situata në pyje është e rëndë. Për të ndalur shfarosjen e pyjeve nevojitet zgjidhje urgjente, që nuk mund ta japë as Edi Rama, as Taulant Balla, bashkëpunëtorë të kësaj masakre mjedisore kriminale.
Për të ndaluar prerjen e pyjeve kërkohet vullnet politik për zbatimin e vërtetë të ligjit. E vetmja shpresë për këtë është Partia Demokratike. Plani ynë është të përkrahim profesionistët, të nxisim të rinjtë të studiojnë dhe të mbrojnë pyjet, të zbatojmë ligjin me vullnet të hekurt për të ndëshkuar këdo që shkatërron nje nga pasurinë më të mëdha të shqiptarëve”, deklaroi Malltezi.