Nga Mero Baze
Zgjedhjet në Kosovë ishin një mesazh i qartë i shoqërisë kundër përpjekjeve për të përdorur populizmin fallco dhe plagët e luftës, në funksion të pushtetit, 20 vite më vonë.
Kosova i ka dhënë votat Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për të cilët jemi të pasigurtë ende se kush ka disa vota më shumë se tjetri për të marrë mandatin, por jemi të sigurtë kush ka humbur përballë tyre.
Humbësi i madh i zgjedhjeve është Ramush Haradinaj, ai që i provokoi ato në emër të populizimit dhe përpjekjes për t’u heroizuar në emër të luftës dhe problemeve të prodhuara prej saj.
Njeriu që tentoi të fitonte pikë duke bërë sikur dha dorëheqje nga kryeministër e duke rikandiduar sërish, pasi bllokoi bisedimet për njohjen reciproke Serbi- Kosovë, është humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve.
Shqiptarët e Kosovës nuk e kanë marre seriozisht populizmin e një udhëheqësi, që bashkë me disa komandantë të tjerë të dalë nga lufta, e kthyen Kosovën në një shoqëri të kapur peng nga zaptimet, korrupsioni, nepotizmi dhe populizmi. Miqësia e tij e shpallur me Ilir Metën dhe Sali Berishën mund t’ia ketë forcuar dhe më tej këtë imazh.
20 vjet pas çlirimit të saj nga Perëndimi dhe lufta e UÇK, Kosova ka zgjedhur të jetë e lirë nga ata që në emër të lirisë kanë mbajtur një shoqëri në kufijtë e izolimit politik ekonomik dhe në mungesë të lirisë ekonomike.
Kosova po ashtu nuk e ka besuar përpjekjen patetike të Kadri Veselit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke e parë partinë e tij, si pjesë të problemit dhe jo si zgjedhje të problemit.
Votat për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, tregojnë se shoqëria e Kosovës ka votuar për një ndryshim të thellë, për liderë të rinj dhe për imazh të ri të Kosovës.
Vjosa Osmani është fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve pasi si grua dhe përfaqësues e partisë më të vjetër të Kosovës, ka zgjuar një elektorat të fjetur të LDK, që e kish braktisur këtë parti, e cila përjetoi pas vdekjes së Rugovës një fragmentarizim, qurravitje pas kundërshtarëve dhe degradim të ideve dhe personaliteteve.
Ajo është “bukuroshja e fjetur” e këtyre zgjedhjeve, e cila më shumë se kushdo tjetër riktheu shpresën tek një parti historike, e cila është zvarritur, është copëzuar dhe degraduar në këto dhjetë vite duke u qurravitur pas komandatëve që ua kanë vrarë anëtarët e partisë për luftë politike dhe i ka kthyer dinjitetin LDK. Fiton apo jo, pak vota më shumë se Albin Kurti, ajo ka fituar të drejtën të udhëheqë LDK dhe Kosovën.
Albin Kurti nga ana tjetër, është fituesi autentik i zgjedhjeve, njeriu që me këmbët e veta ideoi dhe ngriti një lëvizje të majtë populiste antisistem dhe që ja doli më në fund të jetë i votuari i madh i saj. Edhe pse ngjan të jetë “kokë më kokë” në Kosovë me Vjosën, deri tani, votat e diasporës pritet ta nxjerrin atë fituesin e madh.
Llogaritë e reja për qeverinë e re të Kosovës duhet të lexojnë ndryshimin. Për shkak të një ngërçi kushtetues, aty qeverinë duhet ta formojë fituesi ose duhet të shkohet në zgjedhje të reja, por askush nuk ka të drejtë, të tradhëtojë vullnetin e popullit për ndryshim.
Fituesit janë të paqartë për pak vota me njëri- tjetrin, por ndryshimi është fitorja që shkëlqen.
Humbësit janë shumë më të qartë. Ata që e lodhën shoqërinë e Kosovës duke tentuar ta përdorin lirinë e Kosovës si një mënyrë për t’i duruar ata si udhëheqës. Sot Kosova tregoi se di të çlirohet dhe nga çlirimitarët kur ata sillen si zaptues.