Ashtu siç ishte paralajmëruar, Turqia ka nisur përgatitjet për të nisur ofensivën në veri në lindje të Eufratit në Siri duke bombarduar së fundmi pozicionet kurde në këtë zonë.
Siç raportojnë mediat e huaja, avionët turq kanë fluturuar mbi Sirinë e veriut duke bombarduar pozicionet e kurdëve pranë Raqqas, dikur kryeqyteti i të ashtuquajturit Shteti Islamik.
Në një postim në Twitter, ministria e Mbrojtjes e Turqisë, theksoi se ata do të bënin çdo gjë për të siguruar stabilitetin e kufijve të vendit.
Operacioni ushtrisë turke nis pas tërheqjes së trupave të fundit amerikane nga zona, të cilët shërbenin si një garanci për kurdët se nuk do të sulmoheshin.
Aksionet ushtarake filluan me anë të artilerisë dhe gjatë darkës janë përforcuar me anë të aviacionit, që sipas korrespondentëve ndërkombëtarë në terren po fillon të bombardojë bazat e kurdëve të YPG, që deri pak kohë më parë bashkëpunonin me forcat amerikane në luftën kundër organizatës terroriste ISIS.
Edhe pse presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka theksuar se “siç kam thënë edhe më parë, në qoftë se Turqia vepron në një mënyrë që tejkalon limitet, do të shkatërroi ekonominë e saj”, aleatët e dikurshëm kurdë ndihen të tradhtuar nga SHBA, dhe premtojnë që ky veprim do të shkaktojë një luftë të hapur mes tyre dhe forcave turke.