Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike e Shqipërisë do të ulet në 2,9% për vitin 2019, nga 3,8% që ishte parashikuar fillimisht. Në raportin e prezantuar këtë të martë, për ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, BB paralajmëron se rreziqet për rritjen ekonomike janë shtuar. Rreziqe mbeten energjia elektrike, PPP, mungesa e reformave strukturore si dhe kriza politike.
“Presim që kontributi kryesor të vijë kryesisht nga konsumi dhe investimet ndërkohë që deficiti tregtar në energji është shkaktari kryesor i kontributit negativ të deficitit tregtar”, tha Hilda Shijaku, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri.
Më optimiste duken përfundimet e Bankës Botërore për sa i përket punësimit. Papunësia shënoi nivelin më të ulët historik, prej 11,5%, në fund të tremujorit të dytë të , punësimi është rritur me 3,4% dhe pjesëmarrja në forcën e punës është rritur.
“Shqipëria është vendi që ka pjesëmarrjen e forcës së punës më të madhe në rajon, me 60,6% megjithatë ka probleme me papunësinë e të rinjve dhe afatgjatë, çka tregon për dobësi strukturore në vendin e punës. Shqipëria është vendi i dytë me borxhin më të lartë publik, ai vijon të mbetet një objektiv por ritmi i konsolidimit fiskal gjatë vitit 2019 ka qenë më i ngadaltë”, tha gjithashtu përfaqësuesja e Bankës Botërore, duke cituar raportin për Shqipërinë.