Që në fillim të viteve 90, Adem Demaçi, doli me idenë e një konfederate të Ballkanit, pjesë e të cilës do të ishin Kosova, Serbia, Mali i zi dhe Maqedonia, pa ndryshim të kufijve të atëhershëm, por kjo ide nuk u pranua nga Beogradi. Në 2010, ishin presidentët e katër vendeve të rajonit, ai kosovar, Fatmir Sejdiu, ai shqiptar, Bamir Topi, presidenti malazez Filip Vujanovic dhe presidenti maqedonas, Geoge Ivanov që folën për një mini-shengen ballkanik e sipas tyre, realizimi praktik i kësaj nisme ishte i afërt.
Ideja u duk se u përgjum për pak kohë për tu rishfaqur fuqishëm në prapaskenat e asamblesë së përgjithshme të kombeve të bashkuara, në shtator, kur ishte presidenti serb, Aleksandër Vucic, ai që foli për mini shengenin ballkanik, pjesë të cilit do të ishin Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. I pyetur nga gazetarët, nëse edhe Kosova do të ftohej të ishte pjesë e këtij shengeni ballkanik, Vucic tha se “Është e rëndësishme për Serbinë që Prishtina të përfshihet në këtë proces”. Sidoqoftë, Kosova, por edhe mali i zi, e kundërshtojnë mini-shengenin ballkanik, pasi e shohin atë një rikthim të ish-Jugosllavisë.
Tani, autoritetet e Serbisë thonë se shengeni ballkanik do të ndikojë në aspektin ekonomik në rajon. Le të fillojmë me këto tre shtete, në aspektin strategjik shumë me rëndësi, për të shkuar poshtë, drejt Greqisë, drejt porteve të Shqipërisë, dhe kjo për Serbinë ka një rëndësi të madhe”, thotë zëvendëskryeministrja serbe. Edhe kryeministri Rama, nga Nju Jorku, tha se shengeni rajonal do të ndihmonte në heqjen e kufijve në Ballkan për njerëzit dhe mallrat ndërsa Maqedonia e Veriut e vuri theksin tek përfitimet e mëdha ekonomike për rajonin.
Ndërsa Prishtina, ende pa një reagim zyrtar, por përmes zërit të ish-kryenegociatorës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, e ka kundërshtuar shengenin e Ballkanit, duke e quajtur atë një tendencë neo-jugosllave që do ti shkaktonte dëm Ballkanit dhe Evropës. Ballkani-sipas saj- nuk duhet të jetë i interesuar që t’i hap kufijtë mes tyre, por drejt BE-së./TCH