Kryeministri Edi Rama, në një intervistë në Tv Klan, ka thënë se kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka gënjyer për shkëmbimin e territoreve të Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo që është thelbësore është që përpara se t’i themi njëri – tjetrit armik dhe tradhtar për të fituar disa vota më shumë të shikojmë tek njëri tjetri një mundësi më shumë për të kuptuar më mirë se çfarë do të bëjmë. Asnjëherë nuk kam dalë publikisht për të bërë politikë të brendshme duke e përdorur apo keqpërdorur marrëdhëniet e mia që kanë qenë shumë të mira me të gjithë. Më vjen shumë keq që kam qenë i detyruar të dal publikisht kur vërtet jam sulmuar dhe jam anatemuar në mënyrën më të ulët me një gënjeshtër të madhe si ajo që prodhoi dhe shpërndau Ramush Haradinaj. Duhet një mirëkuptim në radhë të parë mes shqiptarëve, mes liderëve politikë. Duhet një qasje e ndershme dhe duhet kapaciteti për të pranuar se ka opsione të ndryshme në diskutim. Unë kam qenë gjithmonë kundër shkëmbimit të territoreve si një metodë për t’i rënë shkurt një procesi që është shumë më i komplikuar. Nga ana tjetër, e kam thënë dhe e përsëris se është e paimagjinueshme që të arrihet në një përfundim nëse nuk ka vizion dhe nuk ka vullnet për të rënë dakord për vijën e kufirit. Një gjë duhet të jetë e qartë, që nuk mundet dot të ndërtohet e ardhmja duke vizatuar një kufi etnik”, tha Rama.
Rama ka folur dhe për kandidatin për kryeministër të Kosovës, Albin Kurtin, ku tha se ai bën politikë në bazë të marrëdhënieve personale.
“Me Albinin kam pasur në vijimësi komunikim. Kur s’kam qenë dakord ia kam thënë, kur s’ka qenë dakord ma ka thënë, por ndryshe nga Albini unë nuk bëj politikë me marrëdhëniet personale dhe me bisedat që shkëmbejmë me njëri–tjetrin”, tha Rama.