Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se plani kombëtar i qeverisë prej 1 miliard dollarë të cilat pritet të investohen tre vitet në vijim, do të ndihmojë ndjeshëm buxhetin familjar.
Përmes një videomesazhi në “Komunikimin javor”, Rama ka folur për mbylljen e marrëveshjes me FMN e cila sipas rezultoi një histori suksesi.
Kryefjalë e këtij komunikimi të kreut të qeverisë ka qenë pikërisht situata ekonomike, ndërsa shpalli dhe objektivat e qeverisë për tre vitet e ardhshme si investimet në infrastrukturën rrugore, arsimore, shëndetësore dhe atë turistike.
Kreu i qeverisë theksoi se reformat kanë dhënë rezultatet e para në rritjen e ekonomisë së vendit, por ai pranoi se kjo nuk është ndjerë në buxhetin familjar.
Rama tha se ekonomia familjare do rritet pasi qeveria të injektojë 1 miliard dollarë investime gjatë tre viteve në vijim.
“Vendi ka marrë kthesën nga buza e humnerës ku gjendej në 2013-ën, por mund të synojë edhe shumë të tjera. Reformat po na japin vetëm rezultatet e para, të cilat do të shtohen dhe konsolidohen hap pas hapin në vijim.
Shifrat e rimëkëmbjes së ekonomisë si rezultat i reformave të guximshme edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore, Komisioni Europian, për kthesën në drejtimin e duhur të ekonomisë, nuk mjafton për të kënaqur vetëm ekspertët e fushës. Pasi, në fund të ditës, çdo familje shqiptare meriton më shumë. Jam i vetëdijshëm se pavarësisht faktit të rritjes ekonomike 3.4% e cila është si dita me natën në krahasim me 0-1% si tre vite më parë, nuk mjafton për të rritur ekonominë familjare të gjithsecilit.
Paralelisht, paralelisht me luftën kundër informalitetit, e cila këtë vit do të thellohet shumë fuqishëm, ne do nisim së shpejti, realizimin e programit kombëtar të financimit prej 1 mld dollarë për rindërtim.
Falë këtij programi të ri, krahas investimeve të drejtpërdrejta, ne do të fusim në rrugën e rilindjes një volum të konsiderueshëm kapitalesh private, për të rindërtuar me shpejt infrastrukturën rrugore, arsimore dhe shëndetësore të Shqipërisë. Për të fuqizuar më shpejt përmes instrastrukturës rurale dhe turistike ekonominë e Shqipërisë. Për të bërë të mundur që që çdo vit vendi të injektojë mbi 1 mld dollarë përmes punëve të drejtpërdrejta”, u shpreh Rama.
Kryeministri u shpreh i bindur se falë këtij programi kombëtar, tre vitet e ardhshme ekonomia shqiptare do të rritet gati dyfish.
“Ky program i ri do të sjellë gjatë tre viteve të ardhshme një rritje ekonomike dyfish, do rrisë ndjeshëm punësimin. Do të bëjë që rritja e ekonomisë kombëtare të ndjehet shumë më tepër në ekonominë familjare të gjithsecilit”, tha Rama.
Ai shtoi gjithashtu se “mandati i parë qeverisës që po shkon drejt përfundimit, është vetëm pjesa e parë e një ndeshje shumë të vështirë të cilën ne do ta fitojmë së bashku për t’u ndarë nga një Shqipëri pa shtet dhe të bëjmë Shqipërinë që duam dhe Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.
Sa i takon zgjedhjeve të 18 qershorit, Rama tha se Rilindja do jetë sërish projekti fitues.
“Mes pjesës së parë dhe të dytës në politikë nuk ka pushim, por ka zgjedhje. Për zgjedhjet kemi ende kohë për të folur sepse çdo ditë, deri në rënien e gongut të fushatës elektorale, për ne është një ditë e gjatë pune për të çuar përpara projektin tonë fitues për Rilindje shqiptare”, përfundoi Rama.