Kryeministri, Edi Rama, falenderoi homologun e tij italian për qëndrimin konsistent që Italia ka mbajtur në mbështetje të perspektivës europiane të Shqipërisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit.
Në konferencën e përbashkët për median me Giuseppe Conten, Rama tha se është në interes të Shqipërisë dhe BE që të ecim përpara me procesin e integrimit.
Edi Rama: “Është një moment i rëndësishëm ky i ditës së sotme ku kryeministri i Italisë mike erdhi në Tiranë pavarësisht një momenti të ngarkuar punësh në Romë dhe mbledhjes së qeverisë në fund të ditës së sotme për të dëshmuar një miqësi tradicionale dhe një vullnet për të thelluar bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve ku pa diskutim ka një potencial të madh për të bërë më shumë.
Pa diskutim që vizita e kryeministrit sot është edhe në kuadrin e një jave shumë të rëndësishme për BE-në dhe për Shqipërinë në vigjilje të një takimi të KiE-së ku ndër të tjera do të diskutohet edhe vendimi për negociatat.
Dhe në këtë aspektet dua ta falenderoj kryeministrin dhe qeverinë italiane që në koherencë të plotë me të gjithë vijën e politikës së jashtme italiane dhe shprehje të vullnetit të mirë për asnjë moment nuk është lëkundur për mbështetjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë në perspektivën e integrimit.
Unë besoj, ia përcolla edhe kryeministrit se përtej faktit që Shqipëria dhe Maqedonia i kanë kryer detyrat e tyre të shtëpisë dhe e meritojnë çeljen e negociatave pa kushte është me rëndësi strategjike që përfundimi i këtij procesi të shikohet jo vetëm me sytë e interesave të veçme kombëtare, por edhe të përbashkët. Procesi i reformës në drejtësi dhe integrimit përbën një shtyllë të fortë mbështetëse për rritjen e bashkëpunimit ekonomik”.
Vetë Conte, i cili e ka vizitën e tij të parë në Shqipëri, konfirmoi qëndrimin pro hapjes së negociatave me BE.
Giuseppe Conte: Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në vizitën time të parë. Italia e mbështet çeljen e negociatave. Ditën e premte do të mbështes këtë pozicion dhe do ta përqafoj me bindje dhe forcë. Çelja e negociatave janë instrumentet më të mira për të garantuar zhvillimin si nga aspekti politik, ekonomik dhe sigurisë. Hyrja e Ballkanit në BE është një objektiv thelbësor në procesin e integrimit të këtij rajoni. Nuk është vetëm një kalim konkret por edhe fakti që ndodhem sot këtu, në një ditë të angazhuar për qeverinë italiane. Gjendem këtu pasi edhe në BE po diskutohet për këtë. Shqipërisë i kërkohet përmbushja e reformave. Janë mjaft inkurajuese dhe që kërkojnë edhe një mbështetje të gjerë. Populli është shprehur pro anëtarësimi dhe ndaj kjo përbën edhe një shtysë më tej që institucionet të ecin më tej dhe të mos zhgënjehen.
Nëse do të ketë shtyje do të ketë edhe një zbehje. Në këtë rrugëtim të qeverisë shqiptare në realizimin e reformave kryesisht të drejtësisë, që kanë të bëjnë edhe me sfida sikur ka të bëjë me funksionimin e institucioneve kryesore. Biseda jonë u ndaj edhe në një bashkëpunim më të fortë në luftën kundër krimit. Aftësinë e Shqipërisë për të zgjidhur krizën e saj politike, do të jetë një sinjal i pjekurisë së saj. Duke përfshirë përgjegjësinë që po dëshmon shumica. Shumica dhe opozita kanë të dyja interes që të zgjidhin këtë krizë vetë. Shumica ti propozojë opozitës një platformë për një dialog më konstruktiv. Unë do ta theksoj edhe në takimet e tjera dhe që të zhvillohet pa parakushte. Duhet të forcojmë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Ne jemi të kënaqur, pasi jemi partneri i parë tregtar me Shqipërinë”.