Ngjyrat pastel, shtëpitë e ndërtuara me gur e dru dhe rrugica të lulëzuara – këto fshatra duken jorealë, por ekzistojnë vërtet dhe mund t’i vizitoni.
Rothenburg ob der Tauber, Gjermani
Një fshat mesjetar në Bavari, i mbyllur brenda mureve të lashta të fortifikuara. Është një nga fshatrat më të vizituar në Gjermani, për arkitekturën tipike e cila është ruajtur mirë deri në ditët tona.
Gjendet përgjatë një prej rrugëve turistike më të frekuentuara Romantische Strasse, e cila lidh Füssen me Alpet bavareze, në rrethinat e të cilave ndodhen kështjella të famshme mbretërore të Bavarisë, ndër më të famshmet kështjella e Neuschëanstein, në Würzburg. Duket se Walt Disney është frymëzuar nga fshati Rothenburg ob de Tauber, kur në vitin e largët 1940 prodhoi filmin e animuar Pinoku.
Eguisheim, Francë
Është një fshat i vogël me pak më shumë se 1500 banorë, që ndodhet në Alsazia në veriperëndim të Francës, i cili bën pjesë në listën e fshatrave më të bukura të Francës.
Foroglio, Zvicër
Është një fshat mjaft piktoresk, me shtëpi që janë ndërtuar rreth e qark kishës së vogël që të kujtojnë jetën e gjeneratave të kaluara, të cilat praktikonin migrimin dhe jetonin në Val Bavona në kantonin Ticino nga pranvera në vjeshtë. Sfond i këtij fshati është një ujëvarë. Canton Ticimo në majë të Valle Maggia është një ndër më spektakolaret në Zvicër.
Gokayama, Japoni
Nga viti 1995 bën pjesë në Listën e Trashëgimisë së UNESCO-s bashkë me fshatin Ogi Shirakawa.
Këto dy fshatra janë të famshme për shtëpitë të ngritura në stilin gassho-zukuri, të cilat karakterizohen nga një çati e ndërtuar prej kashte, që të sjell ndër mend dy duar kur luten.
Vetitë e kashtës, të kombinuara me formën e çatisë i bëjnë këto ndërtime rezistente nga reshjet e mëdha të borës gjatë dimrit.
Hamnøy, Norvegji
Ky fshat i vogël peshkatarësh ndodhet në Ishujt Lofoten me pamje nga Vest Fjord (det në Norvegji). Njëherë e kohë, aty mund të shkohej vetëm nga deti, por kohët e fundit është ndërtuar një rrugë e mirë që e lidh me Reine, një tjetër fshat që shërben si qendër administrative.
Bibury, Angli
Është një nga fshatrat më të bukur të Europës që ndodhet në Gloucestershire, në Aglinë Juglindore. Shkrimtari anglez, William Morris, e cilësoi si fshati më i bukur në Angli.
Këtë bukuri përrallore ia japin shtëpitë prej guri që datojnë në shekullin XIV, të banuara nga pak më shumë se 600 persona, që shtrihen rreth e qark kishës antike saksone të Shën Marisë. Një tjetër tipar dallues janë muret me lule të pjesës më të madhe të shtëpive prej guri. Nëse ju ecni përgjatë lumit Coln, do t’ju duket vetja sikur jeni në një vend zanash.
Gasadalur, Danimarkë
Ky fshat spikat për bukurinë përrallore. Ngrihet mbi një kep të ishujve Faroe, thuajse në pjesën veriore të kontinentit, në Detin e Veriut. Rreth e qark nuk do të shihni tjetër veç ngjyrën e gjelbër dhe blu, sa do t’ju krijojë përshtypjen se jeni në një botë tjetër. Të gjithë adhuruesit e tregimeve fantastike, kanë mundësi të shumta për të kaluar një javë si në përralla. Emocionet do të jenë unike.
Hallstatt, Austri
Hallstatt, për shkak të pozicionit të saj, arkitekturës dhe kontekstit në të cilin ndodhet, konsiderohet fshati më i bukur në Austri. Është aq piktoresk sa që është përfshirë në listën e trashëgimisë së UNESCO-s.
Monemvasia, Greqi
Është një fshat idilik në Peloponez, ndërtuar në rrëzë të një shkëmbi dhe lidhet me plazhet e Greqisë nëpërmjet një rripi toke. Krahasuar me destinacionet tradicionale turistike është më pak i njohur, por jo më pak i bukur. Këtë mund ta kuptoni duke e parë nga lart.
Aty mund të shkoni nëpërmjet një ure, e cila në fakt nuk ju përgatit për peizazhin e një fortese mesjetare, ndërtuar në një anë të ishullit dhe e rrethuar nga mure të padepërtueshme.
Bagnone, Toskana
Bagnone është një fshat mesjetar që ndodhet në Toskana, në territorin e Lunigiana. Pika më e lartë dominohet nga një kështjellë antike. Duke ecur nëpër rrugët e ngushta e duke kaluar urën, do t’ju duket sikur po udhëtoni në të kaluarën Ndër të tjera ka edhe lokale të shumta që ofrojnë pjata tradicionale të vendit, të cilat mund t’i shijoni me peizazhe të mrekullueshme.