Ministria e Jashtme greke përmes një deklarate për perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, theksoi se Greqia e ka mbështetur prej një kohe të gjatë këtë perspektivë.
“Kjo perspektivë u hap në samitin e BE-së të zhvilluar në Selanik në 2003 dhe të cilën Greqia e mbështeti me të gjitha forcat si rruga për konsolidimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke, të dhënë pas mosarritjes së dakordësisë në Këshillin Europian në Bruksel në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Deklarata citon kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në mbledhjen e Këshillit Europian në Bruksel, sipas të cilit ky qëndrim mbetet një nga pikat konstante kryesore të politikës së jashtme greke.
“Greqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e bëra nga vendet e rajonit për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në familjen tonë europiane. Për të arritur këtë qëllim, ne i inkurajojmë këto vende që të qëndrojnë të përkushtuara në rrugën e reformave, të cilat mund të kenë vetëm një efekt pozitiv në qasjen e tyre ndaj Bashkimit Europian dhe në jetën e qytetarëve të tyre. Në të njëjtën kohë, ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të punojnë së bashku për të realizuar perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, për të mirën e rajonit dhe vetë Europës”, thuhet në deklaratë.