Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha të mërkurën se ishte zbuluar një celulë terroriste iraniane dhe se ishin parandaluar sulme terroriste në Shqipëri me rastin e festës së Sulltan Novruzit.
Në një dalje për mediat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Veliu tha se “një celulë aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane është zbuluar së fundmi nga Institucionet Shqiptare të Sigurisë. Celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit Mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta.”
Kush e drejtonte
Veliu tha se celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. “PEYMAN është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Mes të tjerash, ai inicioi dhe zbatoi tentativën e fundit për sulm në muajin mars 2018. PEYMAN menaxhon shumë operativë, disa për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste.”
Një nga këta operativë është Alireza Naghashzadeh, një iranian i cili është vetë një ish-anëtar i MEK-ut dhe zotëron një pasaportë austriake. “Naghashzadeh u dërgua nga PEYMAN-i për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua.”
Veliu tha se një tjetër operativ, është Abdolkhalegh MALEK ZADEH, një iranian që jeton në Turqi dhe që ka drejtuar celulën operacionale. “MALEK ZADEH (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam TURGUT, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të PEYMAN-it dhe të Forcave QUDS. TURGUT, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge. TURGUT ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. TURGUT është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, TURGUT është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.”
“Operativët kriminelë, me bazë në Ballkan, që janë vartës të TURGUT-it ose të një trafikanti droge turk të lidhur me të, nga viti 2018, janë dërguar në Shqipëri për të avancuar planifikimin e sulmeve kundër MEK-ut, siç ishte diktuar nga MALEK ZADEH dhe Forcat QUDS. Autoritetet shqiptare i kanë identifikuar këta individë dhe informacioni i siguruar nga informatorë nga brenda organizatave kriminale i ka lejuar autoriteteve shqiptare që të parandalojnë planin e marsit 2018 dhe planifikimet eventuale për sulme nga figurat e krimit të organizuar që kishin si objektiv MEK-un për llogari të regjimit Iranian.
Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë të Iranit ka vrarë të paktën 4 opozitarë të regjimit në Holandë, Gjermani dhe Turqi dhe ka organizuar sulme të pasuksesshme, sikurse ishte sulmi i fundit i mbetur në tentativë kundër konferencës së MEK-ut në Paris, në Qershor 2018.
Nga viti 2014, në koordinim me Kombet e Bashkuara dhe SHBA- të, Shqipëria ka pritur një numër anëtarësh të MEK-ut, një organizatë që e sheh veten si opozita në mërgim dhe si një alternativë praktike ndaj regjimit iranian dhe për këtë shkak regjimi iranian e sheh atë si kërcënim serioz për mbijetesën e tij. “MEK-u është një shënjestër kyçe për forcat e sigurisë iraniane, të cilat tentojnë të sulmojnë anëtarët e organizatës kudo ku ata mund të jetojnë dhe operojnë jashtë Iranit.”