Është një prej kryeqyteteve financiare të botës dhe aty çdo gjë kushton, nga çmimet e shtëpive, deri te një vend në varreza. Por së fundmi rezulton se mund të të kushtojë më shtrenjtë të kesh një makinë se sa një shtëpi.
Ky ishte rasti i një blerësi anonim në Hong Kong, i cili mësohet të ketë blerë një vend parkimi rreth 12,5 metra katrorë për 969 mijë dollarë amerikanë. Vendi është i hapur dhe ndodhet përballë “Qendrës”, një qiellgërvishtësi me 79 kate në zonën financiare të qytetit.
Vendi i parkimit, 1 milion dollarësh, ndodhet pikërisht në të njëjtën ndërtesë, e cila konsiderohet si kulla më e çmuar e zyrave në botë. Me të njëjtën kosto me të cilën është blerë kjo hapësirë parkimi, ju mund të blini një apartament me një dhomë gjumi në Manhattan.
Rreth godinës janë vetëm 400 vende parkimi, katër prej të cilave i kishte në pronësi biznesmeni Johnny Cheung. Edhe tre vendet e tjera raportohet se i kishte shitur për një shumë me gjashtë shifra. Rekordi i mëparshëm për një vend parkimi ishte vendosur në vitin 2018, kur u shit për 760 mijë dollarë, para një kompleksi apartamentesh luksoze. Indeksi vjetor i “Mercer Cost” për jetesën e ka cilësuar Hong Kongun si vendin më të shtrenjtë në botë për dy vitet e fundit.