Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një bisedë telefonike 45 minuta me Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel. Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri sqaroi se ka qenë Kancelarja Merkel ajo që e ka telefonuar paraditen e së enjtes.
Sipas kryeministrit, biseda me kancelaren gjermane është fokusuar në çështjen e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Edi Rama: Më mori Kancelarja sot në telefon, nuk e mora unë.
Blendi Fevziu: Të mori Merkeli apo e more ti?
Kryeministri Edi Rama: Jo mo jo, më mori Kancelarja në telefon. Praktikisht më kanë marrë dhe kam telefonata me të gjithë.
Blendi Fevziu: Po s’kishte punë tjetër ajo sot? Të rrinte 45 minuta në telefon?
Kryeministri Edi Rama: Në rregull!
Blendi Fevziu: Vazhdo pra vazhdo. Çfarë u tha?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është një çështje shumë serioze. Në qoftë se ti do të më fyesh e të më thuash s’kishte ajo punë tjetër se sa të fliste me ty, i bie që të them s’kam punë tjetër të flas me ty. Mos u bëj diversant me parashutat e të tjerëve.
Blendi Fevziu: Nuk mund të më thuash ti mua mos u merr me diversantë kur të përmend 15 kushte. Tani përgjigju!
Kryeministri Edi Rama: Kancelarja e Gjermanisë më merr në telefon dhe flet për si ndodhi, pse ndodhi dhe çfarë duhet të bëjmë bashkarisht që kjo që ndodhi të riparohet duke bërë gjënë e duhur. Gjëja e duhur është që duhen hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.