Ka qenë një natë e dhunshme ajo e së shtunës në Barcelonë ku qindra mijëra persona morën pjesë në një protestë tjetër për pavarësinë e rajonit të Katalonjës. Sipas organizatorëve mbi 350 mijë persona ishin të pranishëm në protestën e radhës në Barcelonë, e cila kulmoi me përleshje të ashpra me forcat e policisë.
Njerëz të gjakosur dhe barrikada në zjarr u panë në qendrën e qytetit turistik, i cili prej 14 tetorit është kthyer në një qendër protestash nga mbështetësit e pavarësisë. 6 persona u dërguan në spital për të marrë ndihmë të parë pas përplasjes së dhunshme me forcat e policisë.
Protestat në Katalonjë u rikthyen pas vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës së Lartë spanjolle, e cila vendosi dënime të gjata me burg për ish drejtuesit e rajonit për rolin e tyre në organizimin e referendumit pro pavarësisë.