Nëse kishit menduar që superhëna e plotë e kuqe ishte e frikshme, atëherë duhet të shihni se çfarë është në gjendje të bëjë Dielli.
NASA postoi të dielën një foto të diellit që dukej si një kungull i frikshëm në flakë, pikërisht në kohë për festën e Halloween, aq popullore në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Agjencisë Hapësinore Amerikane fotografia është realizuar më 8 tetor 2014 dhe forma që ka marrë dielli është si pasojë e djegies së disa zonave më shumë se sa të tjerat. “Janë shenja të një grupi të ndërlikuar fushash magnetike që vërtiten rreth atmosferës së diellit”, tha NASA. “Imazhi shkrihet me dy rryma valësh me rreze ultravjollcë, duke krijuar ngjyrën e kuqe dhe të verdhë”.
Observatori “Solar Dynamics” i NASA-s, që ka realizuar foton, monitoron vazhdimisht diellin nga orbita e tij në hapësirë.