Nëse quheshin Millie, Socks apo Bo, kafshët shtëpiake presidenciale kanë qenë të pranishme në Shtëpinë e Bardhë për më shumë se një shekull. Por tradita është thyer nga Presidenti Donald Trump. Le t’i hedhim një vështrim rolit që kanë luajtur këto qënie të pafajshme në Shtëpinë e Bardhë, veçanërisht gjatë sezonit të festave.
Për shumë vite, Bo solli hare festive në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës Obama.
Ashtu si Barney – i familjes Bush.
Këtë vit, Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump dërguan mesazhet e Krishtlindjes…, pa një kafshë shtëpiake, ndryshe nga familje të tjera të mëparshme presidenciale.
“Barney dhe Miss Beazley, më pëlqen që jeni vërtetë të ngazëllyer nga festat”, uronte atëherë ish-Zonja e Parë, Laura Bush.
Gjatë viteve, kafshët shtëpiake kanë shërbyer si miqë të banorëve të Shtëpisë së Bardhë, duke luajtur gjithashtu një rol të veçantë.
“Në njëfarë mënyre, ato i bëjnë më të afërt me amerikanët. Ju e dini, shumë amerikanë kanë qen dhe mace. Dhe në njëfarë mënyre, mendoj se kjo gjë e zbut pak imazhin e tyre dhe i tregon ata përtej rolit të tyre, si drejtues të vendit”, thotë Matthew Costello, historian i Shtëpisë së Bardhë.
Barney, qeni i Presidentit George W. Bush shpesh i përmirësonte humorin atij në Shtëpinë e Bardhë.
“Ishte një javë e vështirë për Barneyn. Ai thuhet se ka qenë konkurrenti kryesor për postin e sekretarit të Shtetit, Prokurorit të Përgjithshëm dhe sekretarit të Arsimit. Por Barney ende nuk e ka vendosur”, thuhej në një video gazmore të Shtëpisë së Bardhë, në vitin 2005.
“Barney, e di që dëshiron të jesh në kabinetin tim. Por tashmë të kam dhënë një detyrë të rëndësishme. Detyra jote është të kujdesesh për Miss Beazley-n”, i thoshte qenit të tij Presidenti George W. Bush.
Kafshët e tjera shtëpiake përfshijnë Socks, macja e Presidentit Bill Clinton; Macaroni, kali i vogël i vajzës së Presidentit John F. Kennedy, dhe Checkers, qeni i Presidentit Richard Nixon. Si kandidat për nënpresident në vitin 1952, Nixon u akuzua se kishte pranuar dhurata në mënyrë të paligjshme. Për të pastruar emrin e tij Nixoni dha hollësi për pasurinë e tij, përfshi qenin Checkers, që ja kishin bërë dhuratë: “Dua të të them tani se pavarësisht se çfarë thuhet, ne do të të mbajmë”.
Ishte edhe një kafshë tjetër, një rakun me emrin Rebecca, që ishte çuar në Shtëpinë e Bardhë për t’u gatuar në vitin 1926 për Ditën e Falenderimeve, por Presidenti Calvin Coolidge vendosi ta mbante si kafshë shtëpiake.
Por cila ishte kafsha shtëpiake më e famshme presidenciale?
“Po të marrin në konsideratë kohën, mendoj se ishte Laddie Boy, qeni i Presidentit Warren G. Harding. Ai ishte vërtetë si të thuash qeni i parë. Ai mori pjesë në festimet e Pashkëve. Kishte karrigen e vet në Shtëpinë e Bardhë në takimet presidenciale. Ishte një sensacion për median në fillimin e viteve 1920”, thotë historian Matthew Costello.
Laddie Boy vendosi standardin e kafshëve shtëpiake që shërbejnë për t’i bërë më popullorë presidentët, më të pëlqyeshëm ashtu si gjithë të tjerët./VOA