Kryeministri Edi Rama u takua këtë të martë në Athinë me homologun e tij grek Kiriakos Micotaqis.
Takimi mes dy liderëve zgjati 60 minuta. Shefat e qeverive diskutuan gjerësisht çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve.
Në fokus të bisedës ishte marrëveshja e pa finalizuar e detit, minoriteti dhe rritja e bashkëpunimit dhe investimeve.
Ndonëse nuk ka ende detaje nga takimi, Kiriakos Micotaqis sipas mediave greke parashtroi kërkesat e Athinës zyrtare në lidhje me të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri.
Ai është njohur me ngërçin e pronave në jug të vendit dhe ka shprehur kënaqësi me ecurinë kësaj çështjeje. Micotaqis ka shprehur edhe dëshirën që të vizitojë Shqipërinë për të krijuar një ide me sytë e tij mbi situatën e minoriteteve në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Rama ka kërkuar ndërhyrjen e Micotaqisit, përsa i përket heqjes së ligjit të luftës, një relike që sipas tij mban peng marrëdhënien mes dy palëve.
Kreu i qeverisë shqiptare shoqërohej në Greqi nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe ambasadorja shqiptare në Athinë, Adriana Hobdari.
Ky është takimi i dytë mes Ramës dhe Micotaqis, pas atij në New York të zhvilluar në fund të shtatorit gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Më herët gjatë ditës shefi i qeverisë mori pjesë në samitin botëror për partneritetin strategjik mes Europës dhe vendeve arabe, të zhvilluar në Athinë.
Në nisje të fjalës kryeministri korrigjoi moderatorin e samitit, i cili e quajti Ramën ish-ministër të Punëve të Jashtme, duke u bërë të ditur të pranishmëve se vijon ende ta ushtrojë këtë detyrë.
“Është e re për mua që paskam qenë ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në fakt vijoj të jem, por s’ka problem”, ishte batuta e Ramës.
“Për krizën e refugjatëve, Greqia është shembull i përpjekjeve të mëdha. Ajo është treguar e gatshme për të ndihmuar dhe mirëpritur njerëz të dëshpëruar qe vijnë nga zonat e konfliktit. Greqia dhe Italia po vuajnë për të rënë dakord për një politike të përbashkët si duhet të zgjidhet i gjithë problemi në Europë”, tha Rama gjatë samitit.