Nga Stephen Gibs*
Princesha e Kurorës e Danimarkës, Mary, mund të ketë shansin të bëhet mbretëresha e parë australiane, por vajza e një blegtori nga një fshat i Uellsit të Ri të Jugut u përpoq me vite të tëra që ta bënte të sajin këtë titull.
Susan Cullen-Ward është harruar tanimë, por për pjesën e dytë të jetës së saj, ajo kërkoi që të njihej si pjesë e familjes mbretërore shqiptare, pasi u martua në 1975-ën me ‘mbretin Leka I’, i cili jetonte në mërgim.
Tri dekada para se menaxherja e reklamave nga Tasmania, Mary Donaldson, të martohej me Princin e Kurorës së Danimarkës Frederik, Cullen-Ward u bë bashkëshortja e një pretendenti të një tjetër froni në Europë.
Ajo pretendoi se ishte pasardhëse e mbretit të Anglisë Eduardi I, i njohur si Eduard “kërcigjati” dhe ai ishte kushëriri i nëntë, i largët, i Mbretëreshës Elisabeta II.
Por martesa e vajzës trupvogël nga fshati, me gjigantin Leka I, të cilit i pëlqenin armët, kurrë nuk ishte ajo romanca si në përralla ndërmjet një princi dhe një “normaleje”.
Në fillim të muajit, mbretëresha e Danimarkës e bëri princeshën Mary mëkëmbëse, duke i dhënë lejen asaj që të kryejë detyra si kryetare shteti, kur monarkja 79-vjeçare ka të tjera angazhime.
Mary, 47 vjeçe do të bëhet Mbretëresha e Danimarkës kur 51 vjeçari Frederik të hipë në fron, në rast të vdekjes apo abdikimit të së ëmës.
Kurse rrugëtimi i “mbretëreshës” Susan drejt të qenit monarke, kurrë nuk do të ishte aq i thjeshtë.
Susan Barbara Cullen-Ward u lind në Waverkey të Sidnejt në 1941 dhe u rrit afër Cumnock, një qytezë e vogël me 200 shtëpi.
Ajo ishte e treta nga pesë fëmijë, nga një familje që merrej me rritjen e bagëtive, përpunimin e leshit dhe prodhimin e grurit.
Kur ishte e re, ajo ndihmoi prindërit Phyllis dhe Alan që të menaxhonin pronën 2023 hektarëshe në Mani; filloren e kreu në qytetin e Baldry-t aty afër, kurse gjimnazin në Kolegjin Presbiterian të Vajzave në Orange.
Pasi u diplomua ajo u rikthye në këtë kolegj, por si mësuese. Studioi dizajn në Kolegjin Teknik të Sidnejit Lindor dhe u dha pas dekorimit të brendshëm, ndërsa u bë pjesë e jetës sociale të qytetit.
Një martesë e hershme përfundoi në divorc pas tre vitesh.
Leka i I ishte djali i vetëm i Ahmet Zogut, një drejtues mysliman që në 1928 e shpalli veten e vet Mbreti Zog I dhe bashkëshorten, Konteshën Geraldina Aponi deNagi, mbretëreshë.
Zogu ishte monarku i parë në Shqipëri (monarku i parë ka qenë princ Vidi) pas marrjes së pavarësisë nga Perandoria Osmane, por ai u largua nga atdheu në 1939, kur Italia fashiste pushtoi vendin.
Regjimi komunist e rrëzoi monarkinë më 1946, por Mbreti Zog, i cili vdiq në Paris në 1961 dhe më pas Leka i I këmbëngulën se ata ishin sovranët legjitime të vendit.
Pas vdekjes së Zogut, Leka u shpall ‘mbreti i shqiptarëve’ nga një Asamble kombëtare, ndërsa jetonte në mërgim, dhe u betua për besnikëri në Hotelin Bristol në Paris.
Cullen-Ward takoi Lekën në një darkë festive në Bregun Verior në fund të vitit 1960. Nuk ishte fiks dashuri me shikim të parë.
Ajo i tha të ëmës se djaloshi 205.7 cm i gjatë, i diplomuar në Kolegjin ushtarak mbretëror Sandhurst, që fliste 7 gjuhë, dukej thjesht si “një tjetër djalë”.
Por të dy u bënë shokë dhe do e takonin njëri-tjetrin sa herë që Leka vizitonte Australinë.
Cullen-Ward u transferua në Paris më 1971 për të studiuar Arte në Sorbonë, por më pas hoqi dorë dhe zgjodhi pikturën në veri të Spanjës.
Më vonë lëvizi në Madrid dhe u takua prapë me Lekën.
“Ishte gjatë trajnimit tim si guidë turistike kur ne ramë në dashuri. Ai më kërkoi që unë mos të vazhdoja më me këtë punë dhe më pas ne u martuam”, kishte treguar ajo dikur.
Lista e të ftuarve në Biarritz, Francë, përfshinte figura mbretërore në mërgim nga e gjithë Europa, e po ashtu edhe pjesëtarë të familjes së Cullen-Ward-it.
Leka i cili kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, kur i ati u largua nga Shqipëria, e shpalli Suzanën mbretëreshën e tij, edhe pse ajo kurrë nuk e kishte parë vendin me njerëzit që supozohej se ajo do sundonte.
Me përkëdheli ai e thërriste atë Roo, kurse ajo në publik e quante “Madhëria e tij”.
Pas dasmës, Mbretëresha Suzanë u tha gazetarëve: “Unë nuk ndihem si një mbretëreshë, ndihem si një nuse e lumtur.
Asgjë nuk ka ndryshuar përveçse tani unë kam përgjegjësinë për ta ndihmuar ‘Madhërinë e tij’ që të kthehet sërish në fronin e vendit të vet”.
Çifti u vendos me shtëpi në Madrid, por më pas në vitin 1979 iu kërkua që të largoheshin nga Spanja, pasi autoritetet refuzuan arsenalin e madh të armëve të Lekës. E kjo nuk ishte hera e parë që tërheqja e madhe për armët e kishte futur në telashe pretendentin për fronin shqiptar.
Leka e paraqiste veten si një broker ndërkombëtar për produktet bujqësore dhe më pas si një tregtar për importet dhe eksportet e makinerive të rënda, por për dekada me radhë e mohoi që ai ishte tregtar armësh.
Shpesh i armatosur gjer në dhëmbë, edhe kur udhëtonte jashtë, Leka u arrestua në Bangkok në 1977, me armë ushtarake, përfshirë edhe raketa M16 dhe granata dore.
Njëherë, duke fluturuar në Gabon në bregun perëndimor të Afrikës Qendrore, aeroplani i Lekës u rrethua nga trupa lokale, që ai kishte frikë se ishin paguar për ta rrëmbyer.
Leka zmbrapsi kërcënimin, kur u shfaq të dera e avionit duke mbajtur një raketahedhës.
Një oborrtar tha njëherë për “mbretin”: “Nga momenti që u lind, kishte një armë poshtë jastëkut dhe e ka mbajtur atë me vete gjatë gjithë jetës”.
Se si Leka e mbajti veten financiarisht, ky ishte një mister. Prej kohës pëshpëritej që ai merrte ndihmë nga miq përfshirë Shahun e Iranit, si edhe presidentin e SHBA-së, Richard Nixon, i cili ishte një kushëri i largët, si edhe CIA.
Ai herë shfaqej në publik me një kostum ‘safari’ dhe ndonjëherë duke mbajtur në brez pistoleta të zbukuruara me fildish.
Pas problemeve të tyre në Spanjë, Leka dhe Suzana u detyruan të shkonin në Rodezi, (tani Zimbabve) kur Robert Mugabe mori pushtetin, përpara se të vendoseshin në Afrikën e Jugut.
Çifti dhe nëna e mbretit, Mbretëresha Geraldinë u zhvendosën në një godinë të sigurt afër Johanesburgut, kur djali i tyre, princi Leka u lind në 1982. Kur qëndronte në Afrikën e Jugut, familja mbrohej nga qen roje dhe truproja të armatosura.
Në vitin 1999, ndaj Lekës u ngrit akuzë në Afrikën e Jugut se zotëronte automatikë AK-47, granatahedhës dhe mina.
Qeveritë australiane të mëpasshme refuzuan që ta njihnin Cullen-Ward si monarke shqiptare, e kjo e bëri të vështirë për të kthimin në Australi, një situatë që ajo vetë e përshkroi si “shumë, shumë të dhimbshme”.
“Qeveria këmbënguli që unë të kisha një pasaportë dhe bashkëshorti më lejoi që të udhëtoj me një ku shkruhej “Mbretëresha Suzanë” tha ajo njëherë.
Por kur e rinovuan atë ishte një gabim burokratik dhe është në emrin e Susan Cullen-Ward, e martuar me Mbretin Leka.
“Kam frikë se ky dokument shfaq mohim të sovranitetit, që është kundër Kushtetutës Shqiptare dhe për çdo gjë që familja jonë beson”, ishte reagimi i saj.
Ky ngërç për dokumentin e identitetit vazhdoi me vite.
Në 1997 Komisioni i Lartë Australian në Pretoria ishte gati që të lëshonte një pasaportë në mbiemrin e vajzërisë së Cullen-Ward, ose si ‘Madame Susan Zogu’, mbiemri mbretëror shqiptar.
“Asnjë nga këto opsione nuk pranohet dhe nuk kam ndërmend që të ofendohem nga vetë bashkatdhetarët e mi, veçanërisht për faktin se Australia është një monarki konstitucionale.
Duhet kujtuar së kushërira jonë, Mbretëreshë Elisabeta, na dërgoi ne një telegram urimi me rastin e martesës sonë”, përgjigjej ajo.
Në fund, ministri i Jashtëm i atëhershëm, Andrew Peacock, ndihmoi që të lëshohej një pasaportë me emrin e ‘Susan Cullen-Ward, e njohur si Queen Susan’.
Kur ishte katër vjeç, Lekës së vogël iu kërkua që të firmoste një zotim, që ai nuk do të komunikonte me asnjë grup disident shqiptar gjatë një udhëtimi në Australi për të vizituar gjyshin e tij në prag të vdekjes.
Në fund të 1990-ës, Cullen-Ward ishte kthyer në Cumnock vetëm një herë që kur u martua dhe vetëm i vëllai John dhe e shoqja e tij Diane ende jetonin aty.
Ata kishin shumë pak kontakte me të afërmen e tyre monarke.
“Unë nuk e kam parë motrën që kur im atë vdiq rreth 10 vite më parë”, tha i vëllai në 1997. Por ai merrte një kartolinë për Krishtlindje çdo vit.
Nuk kishte afrimitet ndërmjet vëllait dhe motrës. “Të kesh një motër mbretëreshë është diçka e listuar poshtë në listën e priroriteteve të mia”, thoshte i vëllai.
“Kjo është jeta e saj, nuk kam pikë dyshimi që ajo është e lumtur me këtë gjë dhe unë jam i lumtur me timen”.
Miqtë e shkollës, Jan Gibson dhe Lyn Munro e kujtojnë si një “vajzë shumë të mirë fshati”, por asgjë më shumë.
“Do të mendoja që Shqipëria është shumë me fat”, kishte thënë zonjusha Munro.
Pas rënies së komunizmit, Leka bëri përpjekje të pasuksesshme për t’u rikthyer në Shqipëri në 1993 dhe prapë në 1997, kur vendi refuzoi rikthimin në monarki.
Çifti mbretëror në fund u kthye në Shqipëri në 2002, pasi u ftuan nga parlamenti.
Cullen-Ward u diagnostikua me kancer në mushkëri dhe vdiq pas problemeve në zemër në periferi të Tiranës në 2004. Ajo ishte 63 vjeçe.
Mbretëresha Suzanë prehet në pallatin mbretëror ndërsa qindra ishin të pranishmit në nderimin e fundit, para se ajo të varrosej në krah të Mbretëreshës Geraldinë, që u nda nga jeta në 2002.
Leka nuk e mori kurrë fronin, por ai jetoi nëntë vitet e fundit të jetës në Shqipëri. Ai u tërhoq nga jeta publike në 2005 dhe vdiq pas një ataku në zemër në 2011-ën. Ai ishte 72 vjeç.
I biri, Leka II, që gjithashtu ndoqi Sandhurst-in, ka punuar si këshilltar i Presidentit të Shqipërisë. Ai pasoi të atin si kryetar i Shtëpisë së Zogut dhe u titullua ‘Mbret i Shqiptarëve’.
Ai u martua me aktoren shqiptare dhe këngëtaren Elia Zaharia në 2016.
*Daily Mail Australia/ Përgatiti Irgis Hysenaj, Politiko