Gjatë takimit me kreun e qeverisë greke, Qiriakos Mitsotaqis në Athinë, kryeministrit Edi Rama i kërkoi për si rrallë herë Greqisë të marrë rolin udhëheqës në Ballkanin dhe Perëndimor dhe të cojë përpara kauzën e integrimit të rajonit.
Edhe pse këto komente kanë habitur publikun shqiptar, në njëjta kërkesë ka ardhur edhe nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili pavarësisht pavarësisht diferencave me qeverinë e re në Athinë, ka paralajmëruar se Greqia duhet të mbushë vakumin gjeostrategjik në Ballkanin Perëndimor dhe të mos i lërë rrugën e hapur armikes së saj më të madhe: Turqisë.
Si Rama ashtu edhe Zaev, janë kthyer tanimë nga fqinjët europianë si Greqia dhe Italia, duke kërkuar mbështetjen e tyre për negociatat, në këmbim të një influence më të madhe në rajon.
Por a është qeveri e re greke e gatshme të “valëvisë” flamurin e zgjerimit në Bruksel?
Gati 10-15 vjet më parë, ndikimi Grek në zhvillimet rajonale ishte i jashtëzakonshëm. Në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe në korridoret e Bashkimit Evropian, Greqia ishte vendi që udhëhoqi rrugën e për të mbrojtur zgjerimin. Kur flitej për vendet e Ballkanit Perëndimor të gjitha vendet anëtare i drejtoheshin Greqisë. Kjo u bë edhe më e qartë në mbledhjen e Këshillin Europian në Selanik, në vitin 2003, i cili përcaktoi një axhendë ambicioze për integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.
Fillimi i viteve 2000 shënoi edhe një rritje të zgjerimit të biznesit grek në Ballkan. Duke dominuar në sektorin bankar, në atë të telekomunikacioneve, si hyrja e “Cozmote”, Greqia filloi të zgjerohej duke përfituar nga përparësitë e saj ekonomike për të imponuar një rol më të madh në rajon.
Në atë kohë Shqipëria kishte nevojë të madhe për investime të huaja, prandaj, ato greke mbushën një vakum të rëndësishëm, Investimet gjithashtu i afrojnë vendet me njëra-tjetrën edhe politikisht, siç dëshmon përvoja e Europës Perëndimore.
Një kurorëzim i pozicionimit të ri të Greqisë në Ballkan u shënua edhe me ardhjen në fuqi të Xhorxhios Papandreut, vizionar dhe të arsimuar në SHBA. Ai u shqua menjëherë, veç të tjerash, edhe për një vizion mbarëballkanik, duke propozuar që Ballkani, vendi ku më 1914 nisi Lufta e Parë Botërore, të integrohej i gjithi në BE në vitin 2014, me rastin e 100-vjetorit të asaj ngjarjeje të tmerrshme.
Edhe pse ky propozim nuk u arrit kurrë, ai sinjalizonte një përpjekje të Greqisë për të marrë rol udhëheqës në rajon, ndonëse me gati 20 vjet vonesë. Deklarata frymëzonte besim se ecja me hap të shpejtë e integrimit ishte e mundshme.
Për ironi të fatit, pikërisht këtij udhëheqësi të Greqisë, i plasi në duar bomba e krizës ekonomike. Pas vitesh manipulimi të llogarive financiare të deklaruara në BE, Greqia u rrëzua nën peshën e borxheve të marra përtej aftësisë së saj për të paguar. Dhe ndërkohë që Greqia hyri në krizë totale, nacionalizmi latent i shfaqur me një lloj velloje nga politika e jashtme greke, nxori fytyrën e vet të shëmtuar me partinë e Agimit të Artë.
Dështimi i Greqisë për të udhëhequr Ballkanin, u tregua fakti se BE-ja ka preferuar diplomatët sllovenë, kroate janë preferuar mbi ata grekë për të raportuar mbi Ballkanin dhe mbikëqyrur ecurinë e integrimit të tij. Sllovenia e vogël, dikur e ngecur brenda Jugosllavisë, i ka shfrytëzuar shumë më mirë avantazhet e saj, duke treguar një vetëpërmbajtje e drejtpeshim të jashtëzakonshëm, atë që duhej të kishte ardhur e duhej ta kishim mësuar prej Athinës.
Por vizita e kryeministrit Rama në Athinë për të kërkuar mbështetjen e qeverisë për negociatat, është një sinjal se pas përfundimit të krizës, Greqia mund të rimarrë rolin kryesor, duke luajtur avokaten kryesore për pranimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
“Duke parë rritjen e influencës turke, por edhe asaj ruse”, gazeta greke “Ekathimerini” ngre idenë se “zëri grek” duhet të dëgjohet përsëri në Ballkanin Perëndimor. Madje pas përfundimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, vitin e kaluar, Alexis Tsipras deklaroi qëllimin e qeverisë së tij për t’u rikthyer në Ballkan.
“Sot Greqia po del nga kriza dhe po merr një rol udhëheqës në Ballkan,” tha ish-kryeministri grek. “Athina po fiton peshë në rajon që mund të garantojë perspektivat evropiane të vendeve në Ballkanin Perëndimor, sigurinë, paqen dhe stabilitetin”, shtoi Tsipras. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës ishte një fillim i mirë, por Tsipras nuk mundi t’i rezistonte për gjatë presionit të elektoratit grek.
Deri më tani pasardhësi i tij, Mitsotaqis, nuk ka dhënë ndonjë sinjal për përfshirjen në Ballkan, edhe pse kjo i është kërkuar si nga kryeministri Rama, ashtu edhe nga kreu i qeverisë maqedonase.
“Duke qenë se nuk ka mban asnjë përgjegjësi politike për nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës, i cila i hap Athinën rrugën për t’u riintegruar në Ballkan, Mitsotaqis ka tanimë shansin për të rritur bashkëpunimin rajonal, ekonomik, politik me vendin tonë dhe mbarë rajonit”, thotë profesori i politikave evropiane James Ker-Lindsay.
Megjithatë, kur flitet për marrjen e një roli udhëheqës, nuk mund të injorohet fakti që Greqia është palë në shumë prej mosmarrëveshjeve të pazgjidhura rajonale, si ajo e Kosovës, çështja e detit me Shqipërinë, apo problemet me Bullgarisë dhe ato për Kishën për Serbinë.
Për të rimarrë rolin udhëheqës në Ballkan, Greqia duhet fillimisht të njohë pavarësinë e Kosovës, e cila është një çështje e menjëhershme dhe më pas të punojë me palën shqiptare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Ekspertët e kanë thënë shpesh se një nga arsyet përse Greqia nuk mundi të angazhohej plotësisht në Ballkan ishte mosmarrëveshjet e trashëguara dhe përdorimi i politikës së zgjerimit të BE-së në një mjet të politikës së jashtme greke.
Kryeministri Mitsotaqis duket të jetë një “mjeshtër” për këtë të fundit, duke kërcënuar disa herë radhazi Shqipërinë se do të vinte veton ndaj negociatave nëse vendi ynë nuk i garantonte të drejtat minoriteti grek. Ai ka kërcënuar me politikën e zgjerimit edhe Maqedoninë e Veriut.
Këta faktorë jo vetëm që shpjegojnë dështimin e Greqisë si udhëheqëse e rajonit, por duke parë sinjalet e dërguara deri më tani nga Mitsotaqis, ka të ngjarë të vazhdojnë të formojnë politikën e zgjerimit të Greqisë në të ardhmen. Nëse qeveria e re greke nuk i sheh fqinjët e saj si të barabartë dhe nuk i ndihmon pa i vënë kushte që i shërbejnë vetëm interesave të saj, nuk të ngjarë ta marrë kurrë rolin udhëheqës në rajon dhe do të vazhdojë t’i lërë terrenin e lirë Turqisë.
Nëse nuk njeh Kosovën dhe zgjidh çështjet e hapura me Shqipërinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit, Greqia do të vazhdojë të jetë një shembull dekurajues për të gjithë ata idealistë në vendet e tjera ballkanike që besojnë se një proces europianizimi është i nevojshëm jo vetëm për të hyrë në BE, po edhe për të mirën e rajonit. Dhe tani, që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nevojë për miq për negociatat, është momenti që Greqia të tregojë se nuk ka mbetur ende një vend ballkanik në Europë, por është kthyer në një vend europian në Ballkan.
Burimet: “Ekathimerini”, “Grek Repoter”, “Euractiv” /Gazeta Si