Dy legjendat e aktrimit, Robert De Niro dhe Al Pacino janë ribashkuar në filmin e Martin Scorseses “The Irishman”. Para premierës në Londër, ata kanë folur për miqësinë e tyre 50-vjeçare dhe për presidentin Trump, të cilin e quajnë thjesht një gangster.
“Wow”, thotë Al në një moment gjatë konferencës, duke kujtuar rolet e shumta që ata kanë së bashku në karrierën e tyre të gjatë: “Ne e njohim njëri-tjetrin prej shumë kohësh, vërtetë”.
Pacino tregon se ai dhe De Niro janë takuar për herë të parë në vitin 1968. Në atë kohë, Pacino ishte një stimulant skene dhe akoma nuk merrte pjesë në filma, ndërsa De Niro bënte filma avangardë si “Brian De Palma’s Greetings”.
“Në fillimet e karrierës sonë ne u lidhëm herë pas here me njëri-tjetrin dhe zbuluam shumë gjëra të ngjashme që na ndodhnin të dyve”, thotë Al Pacino.
“Jetët tona morën një drejtim krejt të ndryshëm. Ishte atmosfera shoqërore, ajo që na bashkoi”, thotë ai.
Duke u kthyer pas në kohë, karriera e tyre e aktrimit duket se lulëzoi në një simbiozë misterioze.
Të dy fituan një reputacion në adoleshencën e tyre si problematikë. De Niro kaloi pjesën më të madhe të rinisë së tij në Italinë e Vogël, Manhattan. Ndërsa Pacino, tre vjet më i madh se ai, u rrit në Bronx.
Të dy depërtuan fuqishëm në Hollivud në vitet 70-të, gjatë epokës italo-amerikane të kinemasë.
Pacino me rolin e tij tek “Kumbari” në filmin epik të Francis Ford Coppolas në vitin 1972, ndërsa De Niro u shfaq në filmin e Martin Scorseses “Mean Streets” një vit më vonë.
Të dy u shfaqën në të njëjtin film për herë të parë, edhe pse jo së bashku, në një sekuencë tek “Kumbari”, në vitin 1974 ku De Niro luajti babain e Pacinos në moshë të re.
Pacinos i njomen pak sytë. “Ne jemi me të vërtetë shumë të afërt. Nuk takohemi shumë shpesh, por kur takohemi kuptojmë se kemi ndarë disa gjëra. Në një farë mënyre, mendoj se e kemi ndihmuar njëri-tjetrin gjatë gjithë jetës”.
Të dy aktorët po i afrohen hijshëm dekadës së tetë të jetës. Pacino është 79 vjeç, ndërsa De Niro 76.
Filmi “The Irishman” ka në qendër “gangsterizimin” e politikës amerikane, sesi Cosa Nostra shfrytëzoi mundësitë për të korruptuar procesin zgjedhor.
Dy vrasje të mëdha, ajo e John F. Kennedy dhe e Jimmy Hoffa konsiderohen si vepër e ndërhyrjes mafioze në sferën politike.
Disa mund të thonë se SHBA-të ende po jetojnë trashëgiminë; pasi versioni i De Niro si Sheeran tek “The Irishman” pëlqen të thotë: “kështu është”.
De Niro e urren presidentin Donald Trump dhe këtë e ka bërë publike shpesh. Megjithatë nuk nguron asnjëherë ta përsërisë mendimin e tij, ashtu si dhe në konferencën për filmin.
“Ne kemi një problem të vërtetë, të menjëhershëm sepse kemi një president gangster që mendon se mund të bëjë gjithçka që dëshiron”, thotë De Niro, ndërsa Pacino hesht.
Kur e pyesin, a mendon ai se Trump do të shkojë në burg?, De Niro përgjigjet: “Oh, mezi pres ta shoh në burg. Nuk dua që ai të vdesë. Dua të përfundojë në burg”.
Dy aktorët e famshëm thonë se kjo është hera e fundit që të dy vendosin të luajnë në një film bashkë. “Nuk do e bëjmë kurrë më një gjë të tillë”, thonë ata.