Ai është mbrojtësi i ri i momentit në Serie A, jo vetëm te Verona. Marash Kumbulla, futbollisti verdheblu, i lindur në Peschiera del Garda më 8 shkurt 2000, po kalon një moment veçanërisht të lumtur në karrierën e tij, që sapo ka filluar. Duke u rritur në fidanishten e Hellas Verona, pikërisht nga Pulcini, qendërmbrojtësi 1.91 metra debutoi në ekipin e parë më 5 tetor, në “Bentegodi”, kundër Sampdoria. Disa ditë më vonë, më 14 tetor, debutoi edhe me ekipin e tij kombëtar, Shqipërinë (Marash ka lindur nga prindër shqiptarë dhe ka shtetësi të dyfishtë). Ai është rrëfyer në një intervistë për mediat italiane.
Marash, cilat janë ndjenjat tuaja gjatë këtyre javëve të fundit?
Unë jam duke përjetuar emocione të mëdha. Ende sot dridhem, nëse e rimendoj golin tim kundër Sampdoria. Këto janë gjëra që do të mbesin përgjithmonë në kujtesën time dhe në kujtesën e atyre që janë afër meje.
A ia dedikove golin dikujt, në veçanti?
Familjes time, gjithashtu të dashurës, Greta.
A është ajo afër jush, ju ndjek në atë që bëni?
Po, është gjithmonë e pranishme.
Si arritët te Hellas Verona?
Kam luajtur në Cavalcaselle, një ekip këtu afër Peschiera del Garda. Kam pasur rastin të bëj disa testime te Verona, i shoqëruar nga trajneri im i atëhershëm, Giuliano. Ishte ai që, pas katër, ose pesë përpjekjesh, më tha se isha përzgjedhur.
Si e pranuat lajmin?
Isha shumë i lumtur, edhe nëse në atë moment nuk e kuptoja mirë se çfarë ishte Verona për mua.
E mbani mend seancën e parë të trajnimit?
Po, ishte shumë e vështirë. Unë stërvitesha te Cavalcaselle, por ato ishin séance normale. Në vend të kësaj, këtu në Verona, në një ekip profesionist, seancat ishin goxha intensive, tashmë nën drejtimin e Pulcini. U mundova që në fillim, por nuk e kapa dot shpejt ritmin.
A e filluat menjëherë si mbrojtës?
Fillimisht kam luajtur në mesfushë, pas një kohe të shkurtër më caktuan rolin e mbrojtësit qendror, i cili në të vërtetë është roli im natural. E ndjej se ky rol është perfekt për mua.
Kur e kuptuat se kishit potencialin të bëheshit një futbollist profesionist?
Nja dy vite më parë. Ishte ndoshta hera e parë që imagjinova se mund të bëja diçka në futbollin profesionist, në këtë nivel. Realisht jam duke e kuptuar atë që ka ndodhur vetëm tani. Edhe tani, të më thuash se jam pjesë e Serie A, më befason. Kurrë nuk do ta shpresoja e besoja këtë gjë disa muaj më parë.
I ruan kontaktet me ish-kolegët e miqtë tuaj?
Ata më shkruajnë, më telefonojnë, më komplimentojnë kur luaj mirë. Edhe kur shënova golin, më morën të gjithë. Ata janë të lumtur për mua.
Debutuat edhe në kombëtaren e Shqipërisë, atë të parën? Një moment tjetër i rëndësishëm…
Po, një emocion shumë i fortë, edhe sepse ndodhi menjëherë pas golit tim të parë me Verona. Trajneri, Edy Reja, më dha rastin të luaj në Moldavi në minutat e fundit, në vend të shokut tim, Ismajili. Ishte diçka fantastike.
A janë prindërit tuaj të lumtur me rrugën e karrierës që po merrni?
Po, shumë të lumtur. Ata janë tifozët e mi të parë, veçanërisht babai, që më ka ndjekur gjithmonë dhe kudo, madje edhe tani, në çdo stadium ku luajmë.
Edhe në trajnim?
Jo përherë në stërvitje, por në ndeshje nuk mungon kurrë.
Cilat mendoni se janë tiparet tuaja më të mira si futbollist?
Leximi i lojës, kërcyeshmëria, shtatlartësia dhe loja me kokë.
Këshillat e trajnerit Juric…
Ai më kërkon që të jem i përqendruar, agresiv në dyluftimin për topin, i vendosur për spastrimin e zonës. Ai është përherë afër meje me këshilla dhe po më jep shumë vetëbesim.
Ndonjë lojtar që ju ka bërë përshtypje deri më tani, si pjesë e Serie A?
Ronaldo, por edhe Dybala. Ishte e mrekullueshme të luaja kundër tyre. Madje, isha shumë i impresionuar kur i shikoja afër, më dukeshin ndryshe nga të tjerët.
A keni një ëndërr?
Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të luaja në Serie A. Tani kam pasur sukses, shpresoj të vazhdoj kështu.
Ju keni qenë edhe mbrojtësi i parë i lindur në vitin 2000, që shënuat gol në Serie A. Edhe kjo, për shumë, mund të jetë tashmë një ëndërr…
Po, por nuk isha në dijeni të këtij rekordi. Më thane në klub. Ishte një arritje e kënaqshme, diçka e bukur, por shpresoj të bëj gjithnjë e më shumë.