Ndonëse do ende më shumë se një muaj që Festivali i Këngës në RTSH të çeli siparin e këtij viti, si zakonisht zhurma rreth tij nis herët. Nuk ju ka shpëtuar “paragjykimi” apo thashethemnaja organizatorëve edhe këtë vit!
Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu do të jenë ‘timonieret’ e garës që do të zgjedhë këngën që do të na përfaqësojë në Eurovizion, e si dy emra të cilat e njohin mirë ‘show-n’ televiziv, pak por e sigurt është se këtë vit Festivali i RTSH do të ketë një ‘fytyrë’ tjetër!
Në një kohë kur tashmë pothuajse çdo vit jemi mësuar të lexojmë tituj bombastikë lidhur me ‘skandalet’ e herë pas hershme me Festivalin e fundvitit, ku gjithmonë dikush apo disa dalin të pakënaqur, edhe ky edicion nuk i shpëtoi ankesave e akuzave për ‘pazarllëqe’….
Deri në këtë moment për festivalin e këtij viti qarkullojnë dy hipoteza:
Thuhet se fituesja është zgjedhur e ajo është Elvana Gjata….
Ndërsa hipoteza tjetër është se Elvana Gjata që po lakohet kudo si fituese është e paramenduar si marketing për shkak se fituese në të vërtetë do të jetë Arilena Ara!
Ndonëse nuk është aspak e drejtë dhe sigurisht krejtësisht jashtë rregullave të lojës, që fituesi të përzgjidhet para garës, le ta pranojmë që secila prej dy këngëtareve që po lakohen si fituese për hir të së vërtetës nëse do kenë këngë të mira (duke ja njohur grintët e talentin, nuk e vëmë aspak në dyshim), premtojnë përfaqësime dinjitoze, e skenës së Eurovizionit si Elvana ashtu edhe Arilena do t’i rrinin fort mirë…
Por le të ndalemi tek hipoteza e dytë, që duket një skenar tejet finok, e që në gjithë këtë sagë aludimesh na e turbullon edhe më shumë zgjidhjen e këtij ekuacioni.
Pra sipas një ‘mendje djallëzore’ këngëtarja që do të na përfaqësojë në Eurovizion është Arilena (mentore të së cilës kanë qenë gjatë gjithë karrierës së saj Alketa dhe Vera), ndërsa emri i Elvanës po përdoret për t’i shërbyer koleges së saj Arilena. Me gjithë dashamirësinë, naivitetin, indiferencën, apo ‘mungesës së ambicies’ (që tek Elvana e dyshojmë shumë), që mund të ketë artistja Gjata për pjesëmarrjen për herë të parë në këtë kompeticion, në logjikën tonë, e me siguri edhe tuajën është shumë e paqartë pse Elvana Gjata ka pranuar këtë ‘skenar’…
Kujtojmë që Elvana Gjata një vit më parë kaloi një periudhë aspak të lehtë për shkak të incidentit që ndodhi me të fejuarin e saj, për të cilën ndonëse ajo vetë nuk u prononcua kurrë, e vërteta është që ajo ngjarje ja ‘shkundi’ Gjatës suksesin e arrirë deri asokohe.
Pjesëmarrja në festivalin e Këngës do të qe një formë e mirë marketingu për artisten që për hir të së vërtetës, gjatë gjithë karrierës së saj ka ditur t’ia rrisë çmimin vetes, madje kësaj here edhe duke mos pretenduar fare fitoren, pasi qëllimi në këtë pikë të karrierës së saj mund të jetë një dhe i vetëm; Elvana Gjata të kthehet tek publiku i një spektri të gjerë, krejt i ndryshëm nga ai që më shumti e ndjek në Instagram, tek ai i Festivalit të Këngës në RTSH…
Sigurisht nuk përjashtohet fakti se të gjithë këto janë thashetheme, e në mbyllje të Festivalit të 58-të të Këngës të gdhihemi në mëngjes me një tjetër emër që do të jetë fitues i këtij viti, e të gjitha këto aludime le të mbesin në ‘ndërgjegjen’ e të gjithëve ne që ndoshta folëm para kohe…
Nga Nada Biraçi /Revista Bordo