Shumë fëmijë do ta kalojnë mbrëmjen e Vitit të Ri në tryeza të gëzueshme e të bollshme. Me mijëra të tjerë janë të rrethuar nga lodrat që kanë ëndërruar.
Por, kjo nuk është një histori për fëmijë të lumtur. Kjo është historia e trishtueshme e Denisit, djaloshit 13-vjeçar, të cilin skamja e detyron të vjedhë ushqime për mbijetesë.
Denisi kujdeset, përveç vakteve për 5 motrat e vëllezërit më të vegjël sesa ai, edhe për lodrat.
“Kur shkoj në shtëpi dhe babi thotë se s’ka për të ngrënë, unë mërzitem. Dal nga shtëpia dhe filloj kërkoj. Shoh dyqane, në të cilat kujdesem të mos më shohë kamera, e i fus ushqimet në xhup”, thotë Denisi.
Babai i tij punon si punëtor krahu dhe shpesh nuk gjen punë. Kur ishte 8 vjeç, Denisi vodhi për herë të parë një buke dhe vazhdon ta bëjë këtë gjë sa herë që tavolina është bosh.
“Zakonisht vjedh makarona, qofte dhe ushqimet kryesore që duhen për në shtëpi. Për motrat e vëllezërit kam vjedhur ushqime, lodra. Sigurisht që edhe policia më ka shoqëruar në komisariat”, thotë i riu.
Si Denisi ka mjaft raste fëmijësh të mitur, të cilët nuk merren nën përgjegjësi penale. Por, sapo ata mbushin 14 vjeç dërgohen si të pandehur në gjykatë. I tillë është edhe rasti i Vandamit dhe Marselit. Të dy ata janë nën akuzë për vjedhje.
Vandami dhe bashkëmoshatari i tij, që të dy 15-vjeçarë, i rrëmbyen çantën një gruaje, në të cilën ajo kishte 2.500 lekë. Bashkëpunëtorë me ta ishin edhe dy fëmijë nën moshë për përgjegjësi penale, ndaj ata nuk do të gjykohen.
“Ata kanë pranuar se kanë kryer vjedhjen prej 2.500 lekësh. I kanë ndarë nga 500 lekë për secilin, ndërsa 500 lekët që tepruan i konsumuan për të blerë ushqime”, është shprehur prokurori Gjergji Tako.
Edhe për pak muaj Denisi u shpëton hetimeve, vetëm nga fakti që nuk ka mbushur ende 14 vjeç. Megjithatë, ai nuk ka frikë nga burgu, por nga uria. Për shkak të varfërisë Denisi braktisi shkollën, e tashmë atij i ka ngelur vetëm një dëshirë.
“S’dua të shoh familjen time të thotë se s’kemi sot ushqime për të ngrënë”, tha Denisi./TCH