Levante duket se do ti duhet ti bëjë llogaritë pa asnjë nga portierët për ndeshjen kundër Athletic Bilbao këtë të diel.
Portieri Aitor Fernandez duhet të qëndrojë në punë, në qendrat e votimit. 28-vjeçari ka luajtur në të 12 ndeshjet e këtij sezoni, përfshirë këtu dhe fitoren e fundit 3-1 kundër Barcelonës.
Këtë fundjavë në Spanjë janë zgjedhjet e përgjithshme dhe portieri është zgjedhur si numërues në qendrat e votimit, duke humbur kështu ndeshjen në transfertën e Bilbaos. Trajneri i Levantes, Paco Lopez nuk ka alternativa, pasi dhe portieri i dytë, Oier Olazabal, është i dëmtuar. Sipas AS, avokatët e klubit janë duke bërë gjithçka që Fernandez të udhëtojë me ekipin.
Alternativa e fundit është aktivizimi i portierit të tretë, i cili ka dalë nga akademia e klubit, Dani Cardenas. Ai mund të ketë shansin të debutojë me ekipin e parë. 22-vjeçari ka luajtur shtatë ndeshje me ekipin e dytë të Levantes në Segunda Divizion B. Levante momentalisht ndodhet në vendin e 11 të renditjes, vetëm 3 pikë larg zonës europiane.