Kryesore “Ata që e shkruajnë më mirë gjuhën shqipe sot në Shqipëri janë...

“Ata që e shkruajnë më mirë gjuhën shqipe sot në Shqipëri janë kinezët”

“Ata që e shkruajnë më mirë gjuhën shqipe sot në Shqipëri janë kinezët, është fakt”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, në aktivitetin “Përtej kujtimeve”, organizuar në kuadër të 70-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë.

Më tej kryeministri shtoi se është kujdesur për të gjetur një gabim në deklaratat që vijnë të shkruara në shqip, nga ambasada kineze, por nuk ka gjetur qoftë edhe një të vetëm deri më tani.

“Vepra të mëdha të letërsisë kineze janë përkthyer në shqip, ashtu sikundër janë përkthyer në gjuhën kineze disa prej veprave më të vyera të letërsisë shqiptare. Por nëse ka një gjë që meriton të konsiderohet xhevahiri më i çmuar i kurorës së kësaj marrëdhënie në ditët e sotme është katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Pekin.

Aftësia për të folur dhe për të shkruar shqip e studentëve kinezë, ia kam thënë çdo ambasadori kinez që ka ardhur, ia kam thënë edhe kryeministrit të Kinës, që deri tani jam përpjekur që të gjej një gabim ortografik në të gjitha shkresat që çon ambasada e Republikës Popullore të Kinës në shqip. Nuk e kam gjetur akoma. Më ka bërë përshtypje kur kam lexuar shkresën e parë dhe pastaj i kam lexuar për të kapur një gabim të vetëm. Për të gjetur një ‘e’, një ‘ë’ pa dy pika. Për të gjetur një ‘ç’ pa bisht. Asnjë deri tani.

Do thoni ju çfarë do të kishte ndodhur sikur të kisha kërkuar gabimet ortografike të shkresave të kryeministrisë dhe ministrive shqiptare, do kisha kap me siguri ndonjë gabim deri tani.

Do ishte një hap i madh nëse një kinez do pranonte të drejtonte katedrën e gjuhës shqipe, lëndën e drejtshkrimit, në fakultetin e Gjuhës Shqipe”, tha Rama.