Një grup grash dhe vajzash protestuan zhurmshëm përpara kinemasë le Champo, ku do të shfaqej premierë filmi i ri i Roman Polanskit, “J`accuse”.
Regjisori i famshëm është pllakosur dhe më parë nga akuza për agresion seksual, por këtë radhë ishte një aktore franceze ajo që e vendosi me shpatulla pas muri me deklaratën se Polanski e kishte përdhunuar kur ajo ishte vetëm 18 vjeç. Valentine Monnier tha se ai kishte qenë ekstremisht i dhunshëm, dhe ajo nuk kishte treguar më parë, sepse druhej per jetën e saj. Protestueset kërkuan që eventi të bojkotohet.
“Ne bëjmë thirrje për një bojkot total. Sot, të blesh një biletë kinemaje nuk është një gjest i parëndësishëm, ai praktikisht financon zërin e këtij regjisori, i jep atij legjitimitetin të dëgjohet në vende publike, ndaj po, është një kat që mund ta konsiderojmë dhe kriminal, sepse edhe nëse duket si një blerje bilete e thjeshtë, nuk është aspak e tillë”, tha Chloé Madesta, protestuese.
Monnier, që tani jeton në Nju Jork, vendosi të flasë pas 44 vjetësh për shkak të hipokrizisë së Polanskit, sot 86 vjeç. Megjithëse kanë kaluar katër dekada e gjysmë, ajo ngjarje traumatike vazhdon ta përndjekë aktoren akoma edhe sot. Regjisori franko-polak është ende në kërkim në Amerikë pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një nxënëseje 13-vjeçare në 1977 dhe më pas u largua nga vendi.