Kryesore Soreca: Lini konfliktet për Kushtetuesen, kompromis për interesat kombëtare

Soreca: Lini konfliktet për Kushtetuesen, kompromis për interesat kombëtare

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka komentuar për herë të parë konfliktin mes mazhorancës, presidentit dhe opozitës për Gjykatën Kushtetuese.

Ai apeloi institucionet të lënë mënjanë konfliktet dhe të ngrenë një institucion të besueshëm.

“Të gjithë duhet të investojnë për të arritur një kompromis politik. Është për të mirën e Shqipërisë. U bëjmë thirrje të gjithë institucioneve në Shqipëri të lënë mënjanë konfliktet sa i përket Gjykatës Kushtetuese dhe të ngrenë një institucion të besueshëm“, tha Soreca.

Soreca përsëriti thirrjen për dialog mes palëve, teksa kërkoi që të përmbyllet sa më shpejt edhe paketa me ndryshimet për reformën zgjedhore.

Soreca është ndalur edhe njëherë tek çështja e mos hapjes së negociatave, duke theksuar se nuk ishte një vendim, por shtyrje e vendimit.

“Mos hapja e negociatave, nuk ishte një vendim, por shtyrje e vendimit. Nuk ishte votë, jo vendim unanim, por vendim për t’u kthyer pas një reflektimi. Angazhimi ynë në raport me Shqipërinë mbetet i pandryshuar.

Mos hapja e negociatave hapi një debat të madh. Asnjëherë më parë nuk ka pasur një debat kaq të madh. Doja të citoja Macron: Nëse reformojmë strategjinë e procesit do hap negociatat.

Prioritet do i japim angazhimeve, si Reforma Zgjedhore, në drejtësi. Dimë që SPAK do ngrihet në muajt e ardhshëm. Gjykata Kushtetuese po ashtu. Dialogu politik është i rëndësishëm, kompromisi është krucial. Qëllimi nuk është personal, por për interesat kombëtare. Duhet sqarim për çështjen e Gjykatës Kushtetuese”, tha Soreca.

Këto deklarata, Soreca i bëri gjatë hapjes së shkollës së integrimit europian.