Aktualitet Lamtumirë Kampion! Shuhet ish-kampioni i mundjes klasike dhe Pishtari i Demokracisë, Artur...

Lamtumirë Kampion! Shuhet ish-kampioni i mundjes klasike dhe Pishtari i Demokracisë, Artur Kreka

Nga Raimonda MOISIU

Dashamir TOPCIU  

Në dt. 15 Nëntor 2019-ë, shkoi përjetësisht në Amëshim, njeriu, sportisti i mirë, antikomunisti, demokrati i vërtetë në ideal, vlera dhe personalitet, biri guximtar dhe trimi korcar, Artur Kreka, në një moshë relativisht të maturuar dhe të re.

Ikja e parakohshme e Turit, është tronditje,  tragjedi dhe dëshpërim i thellë për familjen, njerëzit e dashur që e rrethonin, se humbën njeriun e tyre të dashur e të shtrenjtë.

Por, jo vetëm!

Ikja  e këtij miku, njeriu të mrekullueshëm dhe sportisti të talentuar e të shkëlqyer përcolli impaktin  emocionues të trishtë dhe të dhimbshëm, te të gjithë ne miqtë e fëmijërisë lindur e rritur në një lagje, te publiku sportdashës korcar dhe komuniteti i sportit shqiptar të mundjes klasike, të njohur e të panjohur ane-kënd Shqipërisë, veçmas nga ata që kanë patur fatin ta njohin, ta kenë mik, shok, bashkudhëtarë të kauzës sportive, qytetare dhe demokrate në udhëtimin e bukur e të trishtë të jetës.

Origjina, familja dhe talenti i një Kampioni në mundje  me emër.

Artur Kreka, ka lindur në vitin 1961-ë, në lagjen  nr. 8-ë, në lagjen e vjetër dhe e njohur historikisht si Lagjja e Iljas Bej Mirahorit të  Madh, themeluesit të xhamisë 600 e ca vjecare dhe të Korcës moderne. Është pinjoll i familjes së dëgjuar Kreka,  një familje e thjeshtë tradicionale dhe autoktone korcare, e njohur jo vetëm si punëtorë të thjeshtë, por edhe  kanë  spikatur ndjeshëm në arësim, kulturë dhe sport. Mbasi mbaroi arësimin e hershëm, Arturi vuri re se kishte dhunti e pasion për sportin e mundjes, kjo edhe si rezultat i fizikut të tij shtatlartë dhe me parametrat e një sportisti.

Sporti korçar, ka patur suksese në disa disiplina, por në mundje ata që spikatën numëroheshin me gishtat e dorës. Karriera e tij si mundës ka nisur herët, në moshë fare të re dhe fillesat sportive të Arturit janë të lidhura ngushtë me pasionin dhe dhuntinë e tij për sportin e mundjes klasike. Ndoshta ishte edhe nxitja nga dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, por edhe  ambienti, rruga dhe mëhalla e njohur e Radanecit, aq popullore, unike e vitale, që e nxitën, frymëzuan, dhe e  bënë  si rrallëkush djaloshin korçar të njihte vetëm progres në sportin e mundjes klasike të  Klubit Korçar. Ja si na tregonte Arturi në bisedat që bënim shpesh me të:

“Ne fëmijët e kësaj lagje, shkonim si grup për t’u stërvitur në palestër. Ishim djem të rinj, dhe fiziku ynë i fuqishëm kujt nuk i pëlqente!’

Kur nisi stërvitjen e rregullt në vitin 1974  me të rinjtë, dhe me dy vëllezër më të rritur që ushtronin sportin e mundjes, askush nuk e kishte imagjinuar se si Arturi do të ngjiste shkallët e karrierës e të  suksesit aq  shpejt. Me inteligjencë, përkushtim dhe forcë fizike  arriti rezultate të shkëlqyera si një prej mundësve më të mirë të tapetit korçar të viteve ’80-’90-ë.

Me ndihmesën dhe këmbënguljen e çmuar të vëllezërve të tij dhe trajnerit që ai e vlerësonte shumë, Vaskë Mandro, – Artur Kreka shumë shpejt u kthye në Kampionin e Mundjes Shqiptare, duke bërë historinë e mundjes, me  shumë tituj e vlerësime të merituara në evenimente kombëtare e ndërkombëtare për të rinjtë e të rriturit. Artur Kreka arritur në nivelet më të larta të këtij sporti duke u ndeshur me ikona  të mundjes klasike, sikundër: Paulin Merla, Paulin Stërkaj, Fidel Ylli dhe vëllezërit Dhelpra.

“I vetëm si sportist, e kam mbajtur në kategorinë e parë Skënderbeun në sportin e mundjes” -veçonte  ndër kujtimet e tij, kampioni Artur Kreka.

I shpallur pesë herë rresht kampion në Kupën e Republikës në vitet 1981-ë-1986-ë, dhe dy herë kampion individual. Dhe nuk kishte se si të mos i jepej titulli Mjeshtër Sporti.

Vlerësimet vazhduan edhe me titullin Emblema e Artë e Qytetit, dhënë nga Këshilli Bashkiak i Korcës. Karakteri dhe Personaliteti i Turit sa vinte e rritej, maturohej si simboli i njeriut të mirë me bonses, human e fisnik, miku i dashur dhe i mirë i   të gjithëve, symbol i njeriut të Pathyeshëm  dhe Sportisti i Shkëlqyer.

Mbështetës i flaktë aktivist i paepur   që në fillimet e lëvizjes demokratike, Arturi u rreshtua në krah të liderit historik të demokratëve, Dr. Prof. Sali Berisha, dhe po i tillë, i qëndroi  besnik deri në fund të jetës së tij.

Artur Kreka ndoqi rrjedhën e jetës si demokrat, por pa i hedhur poshtë miqtë, të majtë. Kur vjen fjala për mundësin me të cilin ka konkurruar, Fidel Yllin, gjithçka e përmblidhte në një lloj sentence; “Opozitarë në sport, opozitarë në politikë, por vëllezër në jetë”.

Artur Kreka do të mbetet në memorjen e korcarëve e shqiptarëve jo vetëm si Legjenda e Mundjes Klasike por edhe Heroi i revoltës antikomuniste në Korcë dhe  nismëtari i rrëzimit të  monumentit të diktatorit. Ai ishte Kryetar i Shoqatës Antikomuniste “20 Shkurti” në Korçë. Ai i vuri shpatullat Partisë Demokratike, jo vetëm që me  themelimin e saj, si nismëtar dhe organizator në qytetin e tij të lindjes, Korçës, por edhe në ditët e saj më të vështira. Artur Kreka mbetet  Heroi i demokracisë shqiptare, Kampionit të mundjes  nuk i mungon as titulli Pishtar i Demokracisë, i dhënë respektivisht nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Dr.Prof. Sali Berisha. E ka fituar atë si një nga sfidantët  dhe protagonistët, e përmbysjes së Shtatores së Enver Hoxhës në Qytetin e Korçës.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të Kampionit e Pishtarit të Demokracisë, të ndjerit Artur Kreka.

Me ndarjen nga jeta të Artur Krekës, komuniteti i sportit të mundjes korçare dhe atij shqiptar, humbën një prej kampionëve të padiskutueshëm ndër vite, teksa kolegët e tij në mundje do ta kujtojnë me respekt, në momente homazhi, malli, mungese, dhimbje, dashuri, mirënjohje e admirim, për njeriun e mirë dhe të maturuar, mikun, sportistin e talentuar e të shkëlqyer, Mjeshtërin e Sportit, dhe Kampionin në mundje që u shëndrrua në tribun promovues dhe përcjelljen e vlerave njerëzore, sportive, qytetare dhe idealin e demokracisë. Ai ngriti lart emrin e Klubit Skënderbeu dhe të Korçës në dekada. Shprehën ngushëllimet dhe dhimbjen e tyre në rrjetin social dhe në shtypin shqiptar, personalitete politike,  demokratike dhe historikë, nga të majtë e të djathtë, miq të fëmijërisë, kolegë të mundjes, tifozë, sportdashës, bashkëqytetarë korcarë dhe  të njohur e të panjohur për ndarjen nga jeta të Legjendës së Mundjes Klasike dhe Pishtari i Demokracisë, të ndjerin Artur Kreka.

Arturi ishte një miqtë më të mirë të liderit historik demokrat Dr.Prof. Sali Berishës. Ja si u shpreh dr. Berisha: “Ngushëllim! Një kampion dhe demokrat i falktë do na mungojë përgjithmonë! Artur Kreka nuk është më! Miq, sot u nda nga jeta Artur Kreka, Pishtar i Demokracisë, një ndër demokratët e parë dhe të përkushtuar që bëri gjithçka për Degën e PD-e në Korcë. Ai ishte gjithashtu Kryetar i Shoqatës “20 Shkurti” në Korcë, dhe ish-Kampion Kombëtar për shumë vite në  mundje klasike. Mirënjohje të thellë për kontributin e Arturit dhe ngushëllimet më të ndjera, familjes e miqëve të tij. Ngushëllime!sb”.

Ndërsa, ish-trajneri i Turit, që e stërviti me të rinjtë e të rriturit, dhe pjesëmarrës në funeral, Vaskë Mandro shprehet:

“Është tejet e vështirë të flasësh në këtë moment të dhimbshëm, sepse ngjarja tashmë ka ndodhur dhe e keqja na erdhi. Humbëm një njeri të dashur e të shtrenjtë, Korça ka humbur një Mjeshtër dhe Legjendë të mundjes klasike. Veç legjendës, ne humbëm njeriun e mirë e të urtë, më të mirin e të gjithëve, humbëm Kapitenin e ekipit  me plot gojën, i cili në të gjitha aktivitet nderonte Korcën dhe mbrojti titullin Mjeshtër i Sportit për dekada. U prehtë në Paqen e Amëshuar, aty ku prehën Legjendat!” “Ngushëllime njerëzve të dashur të tij për humbjen që patën -jo vetëm ata- por dhe komuniteti sportiv korçar,  sepse u nda nga jeta një nga Legjendat e mundjes korçare dhe Kombëtare. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!- flet mes  dhimbjes e trishtimit,  Teodor Vaso, legjenda dhe ikona e Futbollit Shqiptar.

“Arturi u nda nga jeta para kohe. E trishtueshme. Ta kujtojmë për kontributin e tij pasionant në fillimet e demokracisë. Ngushëllime familjes, u prehte në paqe”. Me këto fjalë shprehu ngushëllimet e përzëmërta, Gjergji Gjinko.

Ndërsa Ndricim Spahiu shprehet:“Jemi shumë të pikëlluar për ndarjen nga jeta të ish-mundësit Kampion të ekipit të Korcës, Artur Kreka. Familja humbi njeriun e dashur dhe sporti humbi një mik dhe sportist të shkëlqyer. Arturi do të mbahet mend gjatë tek i gjithë komuniteti i mundjes. I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Bajram Shtylla, një figurë e nderuar dhe spordashës veteran i sportit korçar, shprehu ngushëllimet familjes Kreka për humbjen e parakohshme të njeriut të shtrenjtë të tyre, si dhe sportit të mundjes, për humbjen e  kampionit të saj!”

Eljas Guri, ish-mundës dhe koleg i Arturit ushëtoi nga Shkodra për të marrë pjesë në funeralin e të ndjerit e mes dhimbjes për ikjen e kolegut të tij ndër vite tha: “Për ne ka kenë një sportist i madh, nji shok i mirë, që na iku dhe u nda parakohe nga jeta. Arturi ka kenë ndër djemtë ma të mirë që ka pasë Korça e Shqipëria, në sportin e mundjes. Një jetë sportive e gjatë që i kena hangër djersën njëri-tjetrit, dhe kërkush nuk e kuptoi sa e kemi dashur njëri-tjetrin në sport, ani pse  mund ta kemi humbur apo fituar ndeshjen mes nesh, por miqësia e simpatia nuk humbi kurrë. Ngushëllime familjes dhe dashamirësve  të sportit të mundjes!

Ndërsa Bes Pirani, edhe ky një ish- mundës dhe koleg u shpreh se Tur Kreka ka kenë një djalë i mirë dhe i shkëlqyeshëm, ka arritur rezultate të mira për ekipin korçar, e kam pasur  shok, mik e vëlla të mrekullueshëm.

Risa Minai, ish- mundës tha se ata kanë erdhur enkas një grup si Shoqata e Mundjes nga Shkodra e Tirana për të nderuar dhe për t’i dhënë lamtumirën  në banesën e fundit; një njeriu të mirë e  të shkëlqyer që i ka dhënë Korcës dhe gjithë Shqipërisë.

Humbja e tij është dhimbje e madhe për familjen e Shoqatën e Mundjes Shqiptare. Na ka hidhëruar shumë dhe do të na mungojë.

Ritvan Bode ish-Sekretari i Përgjidhshëm PD-e, në fjalën e tij ngushëlluese, mes të tjerave theksoi se:”.. ikja e Turit  është një humbje e madhe dhe e dhimbshme për familjen, por edhe për ne miqtë e shokët e tij. Me Turin jam njohur nëpërmjet politikës djalë me besë, guximtar dhe  i pathyeshëm në idealin e bindjen e tij demokratike. Për mua, që kam punuar një kohë të gjatë me të, si një njeri që diti të përballet me vështirësitë e kohës dhe  t’u japë kurajo të tjerëve, i pathyer në bindjet dhe në aspiratat e tij. Do të mbetet i përjetshëm kujtimi i tij.”

“Vdekjes askush në botë, nuk mund t’ia ndalë lirinë,

si mace e zezë vjen, të prêt rrugën, ditë a natë

kur ta ka gjetur derën, e shqyen atë me forcë,

të ndryshkurat mendeshe këndojnë të kobshmen serenatë…

Prehu në Paqen e Amëshur miku i fëmijërisë, Mundësi dhe Sportisti i mirë, Njeriu dhe Qytetari Fisnik me Shpirtin Ideal të nië Demokrati të Vërtetë, Artur Kreka..

Të Qoftë Dheu i lehtë në Korcën tënde që TI e doje, respektoje dhe e krenoje aq madhërishëm ne Sport, Jetë e Qytetari! Ngushëllime! Pranë Familjes KREKA -Raimonda & Familja. Me largimin e Artur Krekës  mundja korcare dhe shqiptare ka humbur kampionin e madh të tapetit, familja njeriun e tyre të shtrenjtë, miqtë, njeriun me zemër të madhe dhe politika ka humbur Pishtarin e Demokracisë.

Postcriptum

Shkrimi u realizua nga;

Raimonda MOISIU SADE

Shkrimtare & Gazetare e Pavarur, SHBA

Dashamir TOPCIU