Partia Popullore Europiane, forca më madhe politike e Bashkimit Europian do të udhëhiqet tanimë nga një mbështetës i jashtëzakonshëm i Ballkanit Perëndimor, Donald Tusk.
Pas pesë vjetësh si president i Këshillit Europian, ish-kryeministri polak do të udhëheqë tanimë familjen më të madhe politike të BE-së, e cila ka mbizotëruar në union për më shumë se 40 vjet.
Tusk është kreu i parë i PPE-së që nuk vjen nga Franca, Gjermania apo Britania, por nga Europa Lindore. Edhe pse i përket familjes politike të kancelarëve gjermanë Angela Merkel dhe Helmut Kohl, apo Jean-Claude Juncker dhe Ursula von der Leyen, Tusk njihet për qëndrimet e tij të moderuara.
Duke premtuar se do të luftojë populizmin dhe do të mbrojë kauzën e zgjerimit, Tusk pranoi se BE-ja është në krize identiteti dhe se ndërsa peizazhi politik i kontinentit është bërë më kompleks dhe i larmishëm. Ai zëvendëson Joseph Daul, ish-eurodeputetin e fuqishëm francez, i cili njihet për pikëpamjet e forta konservatore. Por Daul ka mbajtur një profil sa të ulët, sidomos në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke qëndruar larg shumë prej debateve publike. Por ndryshe nga Daul, Tusk është shndërruar prej kohësh në një zërat kyç të Bashkimit Europian, duke u kthyer jo vetëm në një avokat të unionit, por edhe të zgjerimit.
Përse Tusk?
Tusk merr detyrën, ndërkohë që PPE-ja ka humbur 35 vende parlamentare pas zgjedhjeve europiane të majit dhe po përballet me sfida të shumta nga kundërshtarët e saj tradicionalë të qendrës së majtë, liberalët e nxitur nga Presidenti francez Emmanuel Macron, por edhe të Gjelbrit dhe nacionalistët e ekstremit të djathtë.
Bashkë me kancelaren Merkel, kreu i Këshillit të BE-së ka qenë ndër të paktët konservatorë që është përpjekur të tregojë se është po aq i shqetësuar për ndryshimin e klimës, sa të Gjelbrit, dhe po aq të etur sa liberalët për rinovimin dhe reformimin e BE-së. Ajo që ishte në avantazhin e Tusk në Zagreb ishte fakti se nuk kishte asnjë kandidat serioz për të marrë drejtimin e PPE-së. Radhët e partisë janë varfëruar jo vetëm në Parlamentin Europian, por edhe midis liderëve kombëtarë.
Ndër fuqitë e Europës Perëndimore që themeluan BE, vetëm Gjermania ka një udhëheqës nga PPE: Merkelin, e cila është në muzgun e karrierës së saj. Ndërkohë që austriaku, Sebastian Kurz, është ende duke punuar për t’u rikthyer në qeveri. Të vetmit liderë konservatorë vijnë nga Irlanda, Greqia, Kroacia dhe Letonia. Në këto kushte, polaku Donald Tusk dukej zgjedhja më e mirë e mundshme, pasi PPE-ja është e etur të ketë një president emrin dhe fytyrën e të cilit e njohin të gjithë europianët.
Shpesh për deklaratat e tij provokuese në kundërshtim me Brexit, apo hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Tusk fitoi zemrat qytetarëve të BE-së dhe atyre në Ballkan.
Si do të jetë PPE nën drejtimin e Tusk?
Si një ish-aktivist antikomunist dhe kryeministri me shërbimin më të gjatë në Poloni, Tusk ka të ngjarë të diferencohet nga Daul, një ish-fermer që shpesh vepronte si shtyllë e fortë politike brenda PPE-së për kancelaren Merkel.
Daul shpesh akuzohej se ishte shumë i butë me populistët brenda PPE-së, veçanërisht Orbán. Por ndryshe nga ai, Tusk shihet gjerësisht si armiku i betuar i partisë qeverisëse të Ligjit dhe Drejtësisë në Poloni dhe pritet të jetë shumë më i ashpër me populistët në mbarë kontinentin.
Tusk gjithashtu pritet të rikthejë rrënjët e krishtera demokratike të PPE-së dhe është simboli i liderëve të moderuar që vijnë nga Europa Lindore.
Nëse epoka e Hermut Kohl shënoi daljen e Gjermanisë si një udhëheqëse e pakrahasueshëm ekonomik dhe politike brenda BE-së, epoka e Tusk mund të shënonte mirë rëndësinë e ish-vendeve komuniste brenda BE-së.
Kjo është një periudhë tranzicioni, e shënuar nga tensione të përhapura midis Lindjes dhe Perëndimit dhe aftësia e Tusk për të pajtuar të dyja palët do të jetë sinjali kryesor nëse BE-ja mund të qëndrojë e bashkuar.
Për herë të parë në historinë e grupit EPP, eurodeputetët e Europës Lindore tani tejkalojnë numrin e kolegëve të tyre spanjollë dhe francezë, duke i dhënë krerëve nga Europa Lindore fuqi dhe ndikim që ata rrallë gëzonin më parë. Por Tusk nuk duket të jetë në anën e populistëve nga Europa Lindore.
“Ne nuk mund të lejojmë që sfera e sigurisë të udhëhiqet nga populistët politikë, dhe autokratëve, të cilët bëjnë që njerëzit të besojnë se liria vjen duke mbrojtur kufijtë”, deklaroi Tusk pas zgjedhjes së tij.
Tusk, mbështetës i Ballkanit
Ndër çështjet e ngutshme me të cilat përballet Tusk është arritja e një marrëveshje në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Muajin e kaluar Franca shkaktoi një përplasje të pashembullt me vendet e tjera kryesore të BE duke bllokuar përpjekjet për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tani Macron ka paraqitur një propozim për ndryshimin e metodologjisë së integrimit, duke hapur një tjetër front lufte me vendet anëtare.
Por Komisioni Europian dhe Tusk nuk pajtohen me presidentin francez, duke argumentuar se Shkupi dhe Tirana kanë përmbushur të gjitha kriteret.
“Tani duhet të flasim me Francën dhe do ta bëjmë këtë në mënyrë shumë intensivisht. Duhet të vendosim se cilat elementë duhet të përmirësohen dhe ndryshohen në procesin e pranimit”, u tha Tusk gazetarëve të mërkurën në Zagreb.
Gjatë kohës që ka shërbyer si president i Këshillit të KE-së, Tusk ka qenë një zyrtarët më të afërt europian të vendve të Ballkanit, veçanërisht Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai njihet për marrëdhëniet miqësore me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, por edhe atë të Shqipërisë Edi Rama dhe ka mbajtur një sërë vizitash në të dyja vendet. Mbi të gjitha, Tusk është një nga mbështetësit më të mëdhenj të zgjerimit brenda unionit europian.
Bashkë me Juncker, Von der Leyen dhe Sassoli, Tusk nënshkroi një muaj më parë një apel publik drejtuar vendeve anëtarë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Tusk e ka cilësuar si një gabim historik moshapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas takimit të liderëve të BE-së në tetor, duke theksuar se të dyja vendet kanë bërë gjithçka që iu ishte kërkuar.
“Ata ishin gati, por fatkeqësisht disa shtete brena unionit nuk ishin gati. Për mendimin tim ky ishte një gabim historik. Mesazhi im për shqiptarët dhe maqedonasit është: Ju lutem mos u dorëzoni. Nuk kam asnjë dyshim që një ditë do të bëheni pjesëtarë të BE”, tha Tusk.